Elton Tafili, një nga skafistët e tragjedisë së 9 janarit në Otranto është ekstraduar nga Italia, i dënuar në Shqipëri me 20 vite burg nga Gjykata e Vlorës.
Ekstradimi i tij është bërë mesditën e djeshme me një avion nga Roma për në Tiranë. Me të zbritur në tokë, Tafili është dërguar menjëherë në qeli.
Elton Tafili, 38 vjeç u arrestua në prill të vitit të kaluar në qytetin e Milanos, pikërisht për faktin se është i dënuar me 20 vite burg nga drejtësia shqiptare për trafik të qenieve njerëzore me qëllim emigracionin klandestin, shkruan SYRI.net.
Gjykata e Vlorës në vitin 2006, e akuzoi Elton Tafilin si një nga skafistët që drejtonin gomonen me 39 persona që më 9 janar të vitit 2004 u mbyt në ujërat e kanalit të Otrantos, ndërsa udhëtonte nga Shqipëria drejt Italisë.
Nga kjo tragjedi mundën të shpëtojnë vetëm 11 persona, 6 prej të cilëve ishin skafistë e mes tyre dhe Elton Tafili. 28 persona mbetën të mbytur e 7 prej tyre nuk iu gjetën trupat kurrë. Procesi gjyqësor vërtetoi se çdo person kishte paguar 1500 euro për të udhëtuar me skaf drejt Italisë, e se kjo tragjedi mund të evitohej, bën të ditur SYRI.net.
Shqiptari Elton Tafili ndaj të cilit ekzistonte një urdhër arrestimi ndërkombëtar ka mundur t’i fshihet për 10 vjet Interpolit, duke u pajisur me dokumente të falsifikuara. Arrestimi i tij u bë pas një kontrolli rutinë të policisë së Milanos në vendin që quhet Sheshi “Tirana”.