Për Juventusin, fitorja ndaj Cagliarit shënon edhe ndeshjen e pestë radhazi pa pësuar gol, përveçse janë fituar që të gjitha, një sinjal që tregon se skuadra ka rigjetur ekuilibrin.
Madje gjatë kësaj periudhe, “Il Pipita” është kthyer në një “vrastar”, teksa ka shënuar 8 gola në Serie A, më shumë sesa kushdo tjetër në 5 kampionatet më të rëndësishme të Europës.
E nëse do të bëhej një krahasim, Edinson Cavani i konsideruar si goleadori i kontinentit me 25 gola në “Ligue 1”, gjatë këtij viti ka shënuar 7 gola, ndërsa Luis Suarezi i Barcelonës dhe golashënuesi më i mirë i “La Liga” është ndalur në 6 gola. Kjo sa i përket “podiumit” të golashënuesve, që vijon më pas me Alexis Sanchezin e Arsenalit në “Premier League” me vetëm 5 gola, ndërsa një talent si Pierre-Emerick Aubameyang i Dortmundit ka shënuar vetëm një gol.
Pra Higuain është rikthyer në formën e tij më të mirë. Argjentinasi që kur ka ardhur në Itali në sezonin 2013-2014, ka shënuar 21 dygolësha dhe 3 trigolësha, si askush tjetër më parë.