Komisioneri i Zgjerimit në BE, Johanes Hahn shprehet se është në interesin e unionit që në Maqedoni të ketë stabilitet dhe zhvillim të shtetit juridik.
“Interesi ynë është që Maqedonia të jetë e stabilizuar dhe aty të sundojë në vazhdimësi shteti i së drejtës”, tha diplomati austriak për gazetën gjermane “Zeit”.
Sipas tij të gjitha vendet e Ballkanit duhet të kenë perspektivë europiane, duke lënë të kuptohet se kjo duhet të arrihet ndryshim në një proces evolutiv.
Hahn e bëri të qartë se Brukselit i vjen për shtat që në rajon të mos ketë trazira dhe mungesë stabiliteti, sepse kjo mund të rrisë edhe presionin e emigrantëve drejt BE-së.
Ai solli si shembull konfliktin e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit, për faktin se progresi i arritur deri më tani nuk mjafton që të sigurohet një qëndrueshmëri afatgjatë.
Hahn thekson se vetëm një fjalë e gabuar mund të gjenerojë konflikt.
Andaj, sipas atij, Komisioni Evropian duhet të angazhohet edhe për një zhvillim më të madh ekonomik, duke kujtuar se njerëzve u duhet perspektivë.
“Pasi papunësia është e madhe mes të rinjve dhe ka largim të personave të arsimuar. Dhe këto kërkojnë zgjidhje”, tha Hahn.
Për komisionerin qëllimi i BE-së duhet të orientohet drejt anëtarësimit të të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor në radhët e bllokut, sepse rajonit nuk i duhet shumë që të shpërthejë.