Luiza Gega vijon triumfet e saj në arenën ndërkombëtare.
Pas fazës përgatitore që zhvilloi në Kenia dhe së fundmi në Athinë, nënkampionia e Europës debutoi për 2017¬ën në mënyrën më të mirë të mundshme. Në edicionin e 6 -të të Mitingut Ndërkombëtar të organizuar dje në mbrëmje në “Eaubonne” të Parisit, Gega u rendit në vend të tretë mes 13 atleteve keniane, etiopiane dhe marokene në garën e 3000 metrave në sallat e mbyllura.
Sipas trajnerit të saj, të mirënjohurit Taulant Stërmasi koha e shënuar nga Gega ishte edhe rekord kombëtar, respektivisht 8.52.53. “Koha e mëparshme ishte 9.29.83 e realizuar nga Anila Kasati (Athinë 1996). Pra më shumë se 37 sekonda më shpejt se rekordi i mëparshëm. Prisnim më shumë, por kjo ishte gara e parë në 3000 m në sallë për Luizën dhe sigurisht që çdo gjë ka nevojë për eksperiencë dhe çdo garë do ta bëjë atë më të fortë.
Siç e përmenda, do të japë më të mirën në vazhdim këtë nuk e diskutoj, por edhe ky rezultat pa dyshim që na jep kënaqësi që stërvitja ka shkuar shumë mirë. Ndërkohë, më 14 shkurt, Luiza do të vrapojë në Ostrava të Çekisë në 1500 m si garë testuese”, deklaroi për gazetën “Panorama Sport”, trajneri i kombëtares, Taulant Stërmasi. Më 25 shkurt, Gega do të marrë pjesë në kampionatin ballkanik për të rritur të sallave të mbyllura që mbahet në Beograd ku edhe atje pritshmëritë e saj janë të larta. Po në Beograd, Gega do të konkurrojë më 3 mars edhe në kampionatin europian për të rritur të sallave të mbyllura.