Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin tha sot se unioni është i vendosur në mbështetjen e procesit të zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri.
Duke folur gjatë prezantimit të sondazhit “Besimi në qeverisje 2016”, Vlahutin tha se hapi i parë në zbatimin e kësaj reforme ka nisur ditën e djeshme me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.
“2 vite më parë kishte shumë pak besim tek gjyqësori. Kemi 2 vite që luftojmë për të rritur besimin e qytetarëve te drejtësia. Hapi i parë i reformës në drejtësi, nisi dje me ONM. Qytetarët shqiptarë kanë besim tek institucionet e BE. Dje kanë qenë më shumë se 100 aplikantë për ONM. Kundërshti ka patur vetëm nga ato që kanë interesa personale”, tha ambasadorja Vlahutin.
Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) të “vettingut” për gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë tha se procesi i nisur është jetik për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz Calavera që kryeson ONM-në tha gjithashtu se kjo strukturë ka vetëm rol këshillues e monitorues dhe aspak vendimmarrës. Ndër të tjera Calavera tha se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do kryejë detyrat e tij në mënyrë transparente.
7 gjyqtarë ndërkombëtarë do kenë rolin e rekomandimeve në proces dhe jo të vendimmarrjes, pasi vendimi për reformën i takon parlamentit shqiptar. ONM vjen në Tiranë për të bërë të besueshëm procesin dhe për të krijuar besim tek sistemi i drejtësisë.
Trupa e vëzhguesve të huaj, e përbërë nga amerikanë dhe europianë, do të merret me përgatitjen e procesit të Vettingut, i cili konsiston në skanimin e njerëzve të drejtësisë në tre drejtime: kontrollin e figurës, verifikimin e pasurisë dhe të profesionalizmit.