Thellohet skandali i vjedhjes së parave të BKT dhe gjithë përgjegjësia duket si bie mbi kompanitë që kanë marrë përsipër transportin e bankave.
Duket se autoritetet dhe të bankës dhe të kompanive private, kanë shkelur ligjin shqiptar të policive private me të dy këmbët.
Banka Kombëtare Tregtare ia ka besuar kontratën e transportit të parave firmës Oktapus, me pronar z.Spiro Kane.
Por ndërkohë, ky i fundit, meqë ka shumë punë në treg, ka bërë atë që nuk lejohet me ligj, pikërisht dhënien e punës një nënkontraktori, që është kompania “Jaguar Security” me pronar Fatmir Gabi, raporton Newsbomb.al.
Zoti Gabi, ka qenë ditën e djeshme në takimin që Saimir Tahiri, ministri i brendshëm zhvilloi me drejtuesit e kompanive private, ku theksin e vuri pikërisht te mënyra sesi duhet të operojnë, dhe duke përmendur edhe skandalin e vjedhjes së parave të bankës një vit më parë në Rinas.
Ndërkohë, Banka Kombëtare Tregtare, u ka shitur mjetet e blinduara firmës “Jaguar Security” ndërkohë që kontratën e ka me Oktapus.
Eshtë policia që po merret me zbërthimin e rrjetit dhe mekanizmit, ndërkohë që nuk do të mbeten pa u penalizuar edhe firmat që kanë operuar në këtë drejtim./Newsbomb.al