NGA ILIR SINANAJ
Le t’ia nisim me një fakt tronditës! Në vitin 2015 dëmi ekonomik në Republikën e Shqipërisë i përllogaritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) është rreth 940 milionë euro. Me dëm nënkupto: vjedhje, grabitje, abuzim. Të gjithë e dimë që KLSH auditon financat publike, e për rrjedhojë 940 milionë euro u janë marrë familjeve shqiptare. Po nga doli kjo shifër?
Një lexim i hollësishëm i Progres-Raportit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë të vitit 2016, së bashku dhe me njohje bazë të matematikës, i mundëson kujtdo të shquajë se dëmi ekonomik që u është bërë financave publike të Shqipërisë në vitin 2015 është rreth 940 milionë euro.
Në faqen 38, të Progres-Raportit të BE-së për Shqipërinë të vitit 2016, thuhet:“Kontrolli I Lartë i Shtetit përllogariti humbjet financiare të buxhetit të shtetit nga parregullsi në prokurimet publike në vlerën 18.8 milionë euro, që përfaqëson 2% të dëmit ekonomik të përgjithshëm të përllogaritur, pothuajse në 3-fishim nga 4.8 milionë euro që ishte në vitin 2014”.
Ekuacion për të gjetur dëmin ekonomik të përgjithshëm (X) të përllogaritur nga KLSH:
Nëse X * 2% = 18,800,000 euro
Atëherë X = 940,000,000 euro
Pra nuk duhet të jesh shkencëtar raketash për të arritur në përfundimin se dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit është përllogaritur në 940 milionë euro.
Progres-Raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë për vitin 2016 është pranuar botërisht nga politikanë të të gjitha partive si i qenësishëm, pasi disa e kanë cituar edhe me mburrje.
Metafora e “foshnjës në familje”
Jetojmë në mijëvjeçarin e teknologjisë së informacionit, me mundësi më shumë se kurrë për të jetësuar ëndrrat tona. Njerëzimi është gati “për të zbërthyer të fshehtat e kozmosit”, nëse do t’i përmbaheshim një fraze nga fjalimi i Presidentit Donald Trump gjatë ceremonisë së inaugurimit të tij. Po në Shqipëri çfarë po ndodh? Qytetarët përpiqen të mbijetojnë, për bukën e gojës. Çiftet e reja kanë vështirësi të krijojnë familje, që është qeliza bazë e një shoqërie të shëndetshme. Gjithashtu, shqiptarët kërkojnë të emigrojnë dhe të lënë mbrapa, një vend me katër stinë, me rreth 300 ditë me diell në vit, që është I treti në botë për burimet minerare të kromit, që ka burime ujore të lakmueshme, që ka mal, det, lumenj, pyje etj. Po pse atëherë Shqipëria është në këtë gjendje?
Shumë e thjeshtë! Fuqitë prodhuese dhe krijuese jo vetëm janë bllokuar, por edhe ata që bëjnë përpjekje “herkuliane” për të jetësuar ëndrrat e tyre, korja e infektuar e sistemit politik është formësuar në atë mënyrë që t’ua thyejë shpirtin. E megjithatë lufta vazhdon.
Por çfarë është kjo thyerje e shpirtit njerëzor në terma më konkret, që bllokon fuqitë prodhuese dhe krijuese të njeriut. Kjo është varfëria dhe pamundësia për të dalë prej saj.
Pse nuk dilet prej saj? Sepse nuk ke të ushqehesh. Pse nuk ke të ushqehesh? Sepse nuk ke të ardhura? Pse nuk ke të ardhura? Sepse nuk ke punë: sipas shifrave të “Standard and Poor’s” në vitin 2012 niveli i papunësisë (13.8%) ishte më i ulët se në vitin 2016 (16.9%). Atëherë pse nuk nis një sipërmarrje vetjake? E para rreth 1/3 e ekonomisë shqiptare është informale (faqja 28 e Progres Raportit të BE-së për Shqipërinë në vitin 2016) e për rrjedhojë nuk ka qëndrueshmëri; e dyta nuk je i ushqyer se nuk ke para. E pra populli shqiptar ka hyrë në një rreth vicioz të varfërisë që po rezulton në një “Holokaust” të fuqive prodhuese dhe krijuese të kapitalit njerëzor.
Atëherë si i bëhet? Një zgjidhje është t’u jepet një ndihmë ekonomike të mirëfilltë qytetarëve në nevojë? Po ku do t’i gjejmë këto para? Përderisa 940 milionë euro iu grabitën buxhetit të shtetit në vitin 2015, nëpërmjet “reformave” të Edi Ramës, me “konsensusin” e Ilir Metës dhe duke u “shpërfillur” nga kryeopozitari Lulzim Basha, fonde jo vetëm ka, por shumë njerëz duhet të futen edhe në burg!
Por pse duhen ndihmuar njerëzit, pasi ne jemi një shoqëri kapitaliste ku gjithsekush e ngre vetë veten me forcat e veta? Shumë e thjeshtë! Kapitalizmi do të thotë mundësi të barabartë për të zhbllokuar fuqitë krijuese dhe prodhuese të njeriut. Le të marrim familjen. Kur njeriu lind në një familje si foshnje, është i paftë të mbrohet, ushqehet, ecë, komunikojë, prodhojë si edhe të kuptojë. Me ndihmën e familjes, ky njeri ushqehet, mbrohet dhe strehohet, që të rritet, e më pas të arsimohet, e më pas është i aftë të prodhojë e të krijojë. Kjo metaforë e foshnjës mund të zbatohet edhe në shkallën e shoqërisë. Si individ, njeriu është një “foshnjë e pambrojtur” dhe nëse shoqëria kryen një investim tek ai për “ta rritur”, duke i dhënë mundësi të barabarta të shpalosë potencialin e tij krijues dhe prodhues, ai do t’i japë edhe më shumë kësaj shoqërie, sesa investimi fillestar që shoqëria ka bërë tek ky.
Në lidhje me zgjidhjen e problematikës së lartpërmendur, forca politike më e re “Lista e Barabartë (LIBRA)” ka propozuar në programin e saj “përcaktimin e minimumit jetik si prag të detyrueshëm që i duhet çdo njeriu për të mbijetuar. Asnjë qytetar nuk do të paguhet nën 16.900 lek, shifër që është kufiri i minimumit jetik”.
Minimumi jetik dhe LIBRA
Fillimisht le të përcaktojmë minimumin jetik. Minimumi jetik është shuma monetare e një sërë produktesh ushqimore të përshtatshme për të siguruar funksionimin normal të trupit të njeriut dhe ruajtjen e shëndetit, plus një numër minimal artikujsh jo-ushqimorë dhe një numër minimal shërbimesh të nevojshme për të përmbushur nevojat bazë social- kulturore, sipas organizatave ndërkombëtare të specializuara në fushën e mirëqenies sociale dhe punësimit.
Me fjalë të tjera qytetarët në nevojë do të ushqehen. Duke u ushqyer do të mendojnë. E ku ka armë më të fuqishme se mendimi i arsyeshëm i njeriut për të mposhtur çdo vështirësi e për të shkallmuar vargonjtë e pamundësi që të ketë lirinë e veprimit prodhues dhe krijues. Pikërisht kjo gjë tremb rendin e ngrehinës politike, të koalicionit “rilindje”- PD-LSI. Të ushqyer qytetarët do keni lirinë e të zgjedhurit, dhe nuk do të varen më nga “lëmoshat” parazgjedhore dhe paszgjedhore të “rilindje”-PD- LSI. Dhe kështu qytetarët do t’i ndëshkojnë këta politikanë që nuk u “duhen as dreqit”, për të përdorur një shprehje shumë të dashur të kryeministrit Edi Rama. Është pikërisht kjo pse përmendja e minimumit jetik jo vetëm do të çlirojë qytetarët nga varfëria, por do të mundësojë “vetting”-un më spektakolar të politikës shqiptare këto 26 vite e fundit. Me marrjen përsipër të kauzës së minimumit jetik, për të cilin nuk flitet pothuajse fare në media (për arsyet e lartpërmendura), LIBRA është në pararojë të përfaqësimit të ndryshimeve që po sjell koha. Mbetet vetëm që në radhët e LIBRA-s të ngrihen intelektualë dhe profesionistë të guximshëm në çdo lagje qyteti apo fshat, që ta argumentojnë risinë e minimumit jetik si dhe pse duhet të përfshihet në legjislacion. Minimumi jetik duhet të jetë “dragoi I luftës” së LIBRA-s dhe të jeni të sigurt, që gjatë fushatës elektorale “rilindje”-PD- LSI as nuk do të kenë guximin ta përmendin qoftë edhe njëherë. Minimumi jetik është ekskluzivitet i LIBRA-s, pasi nga mënyra sesi paraqitet të jetë konceptuar kjo force politike, vetëm ajo mund të përhapë atë dhe të bindë qytetarët për zbatueshmërinë dhe përfitimet që do të ketë në mirëqenie.
A ka fonde shteti për të zbatuar nismën e minimumit jetik dhe kur?
Unë mendoj minimumi jetik mund të përcaktohet dhe të zbatohet që vitin tjetër! Pse?
Shumë e thjeshtë pasi fonde ka. Në vitin 2015 pati 940 milionë euro që të grabiteshin nga “rilindje”-PD- LSI, sipas progres-raportit të BE-së për Shqipërinë për vitin 2016. Duhet thënë se me 16,900 lekë që ka përcaktuar LIBRA si baza e minimumit jetik, të gjithë shqiptarët në nevojë ekonomike, do t’u mundësohet që t’u jepet një ndihmë ekonomike prej 16,900 lekë (apo rreth 125 euro) në muaj
Tani deputet e LIBRA-s intelektualët Mimoza Hafizi dhe Ben Blushi janë shprehur se 500 mijë shqiptarë po jetojnë me rreth 500 lekë në ditë. Në një muaj me 31 ditë i bie që ata të jetojnë, ose më saktë mbijetojnë, me 15,500 lekë (apo 114) euro në muaj LIBRA siç e thamë ka propozuar minimumin jetik 16,900 lekë. Le të bëjmë një
përllogaritje të vogël. Le ta marrim se ka 600 mijë shqiptarë që jetojnë me rreth 500 apo me më pak lekë në ditë (e thënë ndryshe që janë në skamje të plotë dhe kequshqehen, duke bërë që t’u venitet edhe shpresa e të jenë në dëshpërim).
Nëse këtyre 600 mijë shqiptarë do t’u jepej 125 euro (16,900 lekë) në muaj (pra minimumi jetik sipas programit të LIBRA-s) për 1 vit, kostoja në buxhetin e shtetit do të ishte 900 milionë euro. Pak më parë nxorëm shifrën sipas, Progres-Raportit të BE-së për Shqipërinë për vitin 2016, se abuzimi i “rilindje”-PD- LSI në buxhetin e shtetit në vitin 2015 ishte 940 milionë euro. Ja ku dolën paratë për zbatimin e minimumit jetik. Mjafton që buxheti i shtetit të mos vidhet!
Nga ana tjetër duhet thënë se 1 vit me ndihmë sociale prej 16,900 leke (apo 125 euro) në muaj është pranueshëm e mjaftueshme që njeriu shqiptar të ripërtëri forcat prodhuese dhe krijuese dhe të planifikojë për përdorimin e tyre për të përmirësuar më tej mirëqenien.
Kështu sa më shpejt të zbatohet nisma e minimumit jetik, aq më shpejt do të ulet numri I personave që kanë nevojë për ndihmë ekonomike.
(*) Shpjegimi për “Shigjetën parthe”
Intelektuali Ben Blushi është nga të parët politikanë që ka përhapur në një debat parlamentar çështjen e minimumit jetik. Për sa u tha më lartë, zbatimi i minimumit jetik do të jetë një hap i rëndësishëm në rimëkëmbjen e veprimtarisë së individit shqiptar dhe për rrjedhojë të ekonomisë së vendit (ekonomia e një vendi është shuma e veprimtarisë të individëve dhe agjentëve ekonomik të një vendi). Me nismën e minimumit jetik, të konsoliduar në programin e LIBRA-s, intelektuali Blushi i ka lëshuar “një shigjetë parthe” koalicionit antikapitalist “rilindje”-PD- LSI.
“Shigjetë parthe” do të thotë që në kuptimin figurativ se ke goditur në shenjë për diçka. Para rreth 2 mijë vitesh, konsulli romak Mark Licin Krasi zhvilloi një fushatë luftarake me parthët, që e kishin perandorinë e tyre në lindje të asaj romake. Krasi komandonte një pjesë të rëndësishme të ushtrisë së Perandorisë Romake. Atëkohë, ushtria romake ishte ndarë në tre pjesë nën komandat e konsujve (që ishin edhe gjeneralë) Krasi, Pompei dhe Qezar (që të tre ishin pjesë e triumviratit apo e thënë me shqip e treburrnisë, që kishin pushtetin de facto në Romë). Në të kundërt të Pormpeit dhe Qezarit, Krasi nuk shquhej për aftësi ushtarake. Madje ai fillimisht ishte biznesmen dhe kishte pasurinë më të madhe në Romë. Sipas kronikanëve të ndryshëm Krasi e bëri pasurinë e tij me anë të një shërbimi zjarrfikës; kur nuk kishte zjarre për të fikur, ai i shkaktonte vetë ato, dhe dërgonte kompaninë e tij të zjarrfikësve për t’i fikur. Nga ana tjetër Qezari kishte marrë shumë para borxh nga Krasi dhe e kishte të pamundur t’ia kthente. Ndërkaq Qezari e dinte që Krasi donte të kishte lavdi ushtarake dhe ishte ushtarakisht i paaftë. Kështu Krasit iu dha një pjesë e rëndësishme e ushtrisë dhe “u nxit” që të bënte luftë me parthët, për të fituar lavdi. Ndërkaq Krasi jo vetëm që humbi betejën kundër parthëve, por gjithashtu iu shkatërrua e gjithë ushtria si edhe gjeti vdekjen. Ishte një nga humbjet më të mëdha të Romës. Por si fituan parthët të paktë numër? Një nga taktikat e parthëve ishte përdorimi kalorësisë së tyre me harkëtarë. Kalorësia bëri sikur u çorganizua nga sulmi romak dhe filloi të largohej, duke nxitur ushtarët romakë të prishnin radhitjen e tyre ushtarake dhe t’i ndiqni. Ndërsa largoheshin, kalorësit parthë godisnin me shigjeta ushtarët romakë që i ndiqnin. Dhe kështu duke u tërhequr e duke goditur me shigjeta ata I shkatërruan legjionet romaket, gjë që e shkaktoi paaftësia dhe makutëria e Krasit. Kjo është një nga ngjarjet historike, që ka bërë që taktika e “shigjetave parthe” të ngelë në histori. Boldnews.al