Pas grabitjes si nëpër filma që ndodhi mesditën e sotme në rrugën Tiranë-Rinas, pranë Qafës së Kasharit, ku persona të maskuar ndaluan dhe i morën paratë një makine të blinduar, teksa po transportonte paratë e një banke private në vend, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka mbledhur shefat dhe drejtuesit e policisë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Ministri Tahiri me të mbërritur në Policinë e Tiranës u ka kërkuar informacione grupit hetimor mbi grabitjen dhe për masat e marra me qëllim kapjen e autorëve. Vetë drejtuesit e Policisë së Tiranës ishin në vendin e ngjarjes dhe ndoqën operacionin e policisë në terren. Edhe pse momentet e grabitjes u filmuan me kamera amatore nga qytetarët, deri tani nuk është identifikuar asnjë prej grabitësve dhe as nuk dihet vendndodhja e mundshme e tyre.