19 gjykatësit që do të gjykojnë krimet e supozuara të UÇK-së janë zbuluar sot nga Kryetarja e Dhomave të Specializuara, siç është edhe termi zyrtar me të cilin është themeluar Gjykata Speciale.
Ekaterina Trendafilova njoftoi se gjykatësit e emëruar do të jenë fizikisht të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara vetëm me kërkesë të Kryetarit.
“Hapi i ardhshëm është seanca e parë plenare, të cilën unë do ta thërras së shpejti dhe gjatë së cilës do të miratohet Rregullorja e Procedurës dhe e Provave e Dhomave të Specializuara që rregullon kryerjen e procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara”, njofton kryetarja në komunikatën për shtyp ku jepen edhe emrat e 19 gjykatësve nga vende europiane, por dhe Kanadaja e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Themelimi i Gjykatës Speciale erdhi pas publikimit të raportit të senatorit zviceran Dick Marty, i cili akuzonte krerët e UÇK-së për përfshirje në disa krime dhe trafikim të organeve.
Sakaq një task forcë e ngritur dhe udhëhequr nga kryeprokurori amerikan, Klint Uilliamson nuk arriti të gjejë fakte për trafikim organesh, por ai rekomandoi gjykimin e pretendimeve të tjera për krime lufte.