Asnjë mbështetje për ekranet e mashtrimit!

28 janar 2017
Nga Artan Rama

E ç’rëndësi ka, e mori apo kush nuk e mori licencën e tretë kombëtare televizive. Sipas jush, kush duhej që ta merrte? Por a nuk do të ishte e njëjta gjë. Në fund të fundit, a nuk po i shërbejnë televizionet, pa përjashtim, qeverisë?!

Televizionet tona ofrojnë produkte në shkëmbin të përfitimeve nga qeveria. Ky, zotërinj të nderuar, quhet klientelizëm! Dhe gara për licenca kombëtare është një turrje, se kush televizion do të përfitojë më shumë që të shërbejë më mirë.

Ndaj ju lutem, përmbahuni kur u dilni në mbrojtje garëhumburve!
Është thjesht një kacafytje padronësh. Është racioni që gjithsecili kërkon pas një ditë të lodhshme pune për padronin e madh. Të uritur, thela që u serviret nuk i ngop. Ndaj të babëzitur nga lakmia nuk përmbahen! Kërcënojnë, mallkojnë, denoncojnë! Por akoma më keq, besojnë se mund të bëjnë çdo gjë në emër të interesit publik. Fatkeqësisht!

Është një fushatë mediatike që, si një mantel i rremë, prej kohësh, fsheh interesat e atyre që i posedojnë këto televizione për të influencuar tregjet mbi të cilat ndërtojnë bizneset e tyre. Pra dhe kjo garë është një betejë për tregje të reja.

Është një ndeshje pa fansa, ku të gjithë humbasin po njësoj, paçka se tregu i ri mediatik përqëndrohet në një apo më shumë duar. Në fund, ata, do të na servirin të njëjtin produkt të rremë.

Dhe pikërisht ky mashtrim duhet refuzuar e dënuar publikisht.

Asnjë mbështetje për këta agresorë që servirin propagandë në emër të së vërtetës!

Asnjë shpresë nuk mund të emetohet prej ekraneve të mashtrimit dhe të manipulimit!

Kanë shkuar aq larg, sa kur mbrojnë qeverinë e korruptuar, ata, në të vërtetë mbrojnë vetveten. Kur sulmojnë në emër të publikut, ata, në të vërtetë sulmojnë kundërshtarët personalë. Kur heshtin për krimet, ata, në të vërtetë heshtin se ndjejnë që janë vetë të tillë.

Kështu nuk duhet të ketë asnjë keqardhje për këtë përplasje të fortësh. Nuk ka asnjë Promete në këtë përulësi!

Janë thjeshtë qëndrime arrogante që duhet të nxisin një zemërim popullor edhe sepse bëhen në emër të një licence kombëtare transmetimi e cila është e vetmja pasuri publike në tregun aktual mediatik.

Artan Rama, “Públicus”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *