“I penduari” i atentatit të pretenduar ndaj Tom Doshit, Durim Bami merret në hetim sërish.Raportohet se burime nga prokuroria e Krujës kanë bërë të ditur se gjatë hetimeve është mësuar se Bami rezulton të jetë pronar i disa apartamenteve në zonën e Tiranës dhe Durrësit. E sipas organit të akuzës Bami nuk i justifikon këto pasuri, sepse ai figuron si i papunë.
Për Bamin mësohet se kanë nisur hetimet ndaj tij për “pastrim parash”.
Pas hetimeve, Gjykata e Krujës ka shpallur edhe mos kompetencën për këtë dosje. Por Bami e ka ankimuar vendimin në gjykatën e Apelit.
Prokuroria e Krujës kishte përfunduar hetimin dhe dërgoi për gjykim Durim Bamin, i akuzuar për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Sipas hetimit ka rezultuar se i pandehuri, ka lidhur kontrata për shitblerjen dhe qiradhënien e pasurive, në zyra noteriale të ndryshme.
Në harkun kohor 20112015, i pandehuri ka kryer transaksione të ndryshme në fushën e “Dhënies së huasë” dhe “Blerje apartamenti” në vlerën totale 15.670.000 lekë. Nga ky total, ai ka “dhënë hua” 5 400 000 lekë, si edhe ka shpenzuar për “ndërtim të paluajtshëm” vlerën 10.270.000 lekë.
Andaj prokuroria e Krujës ka arritur në konkluzionin se ky shtetas, pa pasur asnjë të ardhur financiare të ligjshme (vetjake apo të familjes së tij), nëpërmjet këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, veprimeve aktive të kundraligjshme, konkretisht formave të paraqitura me poshtë, ka konsumuar elementët e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i K.Penal. I pandehuri është dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale, në bazë të të cilave Prokuroria e Krujës ka krijuar bindjen se ka gjeneruar përfitime ekonomike në vlera të konsiderueshme.
Bami është në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për kallëzim të rremë për dosjen “Doshi”.