Historia e një viktime të trafikimit me qëllim prostitucionin është rrëfyer në emisionin “E Diela Shqiptare”, duke përlotur opinionin publik.
Vajza, nën kushtet e anonimatit, rrëfeu kalvarin e vuajtjeve të dhimbshme.
Sipas saj vuajtjet nisën që në moshë të vogël, kur mamaja e keqtrajtonte dhe u detyrua të largohej nga shtëpia.
Pas kësaj qëndroi në shtëpinë e xhaxhait, ku siç thonë ra “nga shiu në breshër”.
“Vij nga një familje me shumë vështirësi. Historia ka nisur në moshën 2-vjeçare, me mamin nuk kam marrëdhënie që e vogël. U rrita, ika nga shtëpia, vajta te shtëpia e xhaxhait. Aty filluan problemet me nusen e xhaxhait. Një ditë vjen xhaxhi i pirë në shtëpi dhe më përdhunoi fizikisht, isha 14 vjeç. Nusja e xhaxhait ishte aty por jo në dhomë. E dinte që unë po përdhunohesha. Vendosa të ikja nga shtëpia. Ika tek një e njohur. Qaja gjatë gjithë kohës, nuk po gjeja një njeri të sigurt. Më pas i tregova disa detaje, por jo gjithë hitorinë.
Një ditë ika në dyqan, dy të njohur më dalin para dhe më vendosin në një makinë më çuan tek një lokal. Aty ishte lokal nate që punonin balerina. Më futën aty brenda. Më mbajtën brenda rreth 1 muaj me disa goca. Edhe gocat kishin të njëjtën histori, i kishin rrëmbyer. Do punonin për klientë të ndryshëm. Rreth 30 klientë në ditë për një goc. Pastaj donin të më çonin jashtë shtetit me dokumente false. Por nuk i linte dogana. Tutori im kishte 5 apo 6 bashkëpunues që mos të ikja. Në kufi nuk kisha guxim që të flisja, kisha frikë”, rrëfeu ajo.
Viktima e trafikimit që tashmë po trajtohet në institucionet e shtetit shqiptar, shton:
“Shpëtova një ditë, ishim në hotel. Një goc ishte me mua që donte të arratisej. E shikon që edhe unë nuk donte të rrija. U hodh nga hoteli, mori çarçafin dhe e lidhi në dritare dhe u hodh nga kati i tretë, shkoi në polici. Erdhën forcat RENEA dhe më kapi për flokësh tutori im. Donte të më vriste që mos tregoja kur erdhi RENEA. E shtynë 3 policë atë tutorin dhe shpëtova”, tha ajo.
Teksa rrëfen ëndrrën në sirtar: “Ëndrra ime është të vazhdoj shkollën. Kjo histori më ka penguar që të besoj tek një mashkull. Kam frikë. Më duket si një traumë”.