Koordinatorja e LIBRA-s, Matilda Terpollari deklaroi sot se Partia Demokratike po vijon të kopjojë disa ide të propozuara më herët nga LIBRA. Sipas saj, PD ka shfaqur një ide për votimin online për kandidatët që do të zgjidhen deputetë në zgjedhjet e 18 qershorit. Por, ky propozim mesa duket se është më i hershëm nga LIBRA.
“PD na ofroi si një mënyrë të sajën origjinale pikërisht atë proces që LIBRA, ka ofruar në 6 Janar tek anëtarët e saj. LIBRA ka qene e para që propozoi idenë e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet me votim online dhe e para Organizatë që deri më sot nuk ka marrë asnjë vendim që nuk është votuar nga anëtarësia e saj. Deputetët e LIBRA do të zgjidhen me votim të hapur publik në anëtarësi dhe kriteri i vetëm që do i skualifikojë është dënimi penal. LIBRA kërkon të cojë në parlament sa më shumë njerëz të zakonshëm dhe të lirë nga veset e partive të tjera që sot po përpiqen të tregojnë me kopje se kanë ndryshuar. Secili prej anëtarëve tanë mund të jetë deputet. LIBRA mendon se parlamentarët e sotëm nuk kanë asgjë më pak se se të gjithë ata që shikojmë çdo të Enjte në TV, një parlament me muskuj dhunë dhe injorancë. Votimin online LIBRA deri tani e ka përdorur për përcaktimin e votës së dy deputëtëve të saj për buxhetin, si dhe për emrin e forumit rinor. Aktualisht anëtarësia e LIBRA po jep po online ide për programin e partisë.” – shkruan Terpollari në reagimin e saj.