Nga Artan Rama, “Públicus”
Është shqetësuese imtësia me të cilën televizionet kurojnë lajmet që vijnë prej Bashkisë së Tiranës dhe veçanërisht, kujdesi për kryetarin e saj, Erion Veliajn. Por jemi në demokraci, në një mjedis që kultivon një raportim e shtyp të lirë dhe përkëdhelja e paprecedentë që media po i kushton këtij modeli dhe pasojat e deritanishme të tij, po e shndërrojnë reagimin popullor në një zemërim kombëtar!
Ngjarjet e bujshme të largimit të gazetarëve, censurës apo dhënia e aksesit të informacionit vetëm një numri të kufizuar personash apo mediash, imponimit për të transmetuar nëpër televizione një seri videosh të përditshme, të përgatitura enkas nga bashkia për të propaganduar punën e saj, ryshfetet e bashkisë për të korruptuar gazetarët që ushtrojnë një detyrë publike, përmes dhuratave, kanë konfirmuar një dyshim të hershëm, se bëhet fjalë për një operacion manipulimi që mbikëqyret deri në detaje, për të cilin, publiku, jo gjithmonë, arrin ta dallojë.
Le ta ilustrojmë konkretisht!
Këtë të martë, televizioni Vizion Plus, në edicionin e drekës në orën 15:00, transmetoi një protestë ku aktivistë dhe gazetarë protestuan përpara Bashkisë dhe përpara AMA-s, në mbrojtje të fjalës së lirë. E njëjta kronikë u ritrasmetua në edicionin e mbrëmjes, në orën 19:00, në të njëjtin televizion, por, këtë herë, ajo kishte pësuar ndryshime!
Sipas orës 19:00, protesta përpara bashkisë nuk kishte ndodhur dhe xhirimet që ilustronin këtë fakt në kronikën e orës 15:00, ishin hequr në kronikën e orës 19:00! Akoma më shumë, bashkë me planet e xhiruara para bashkisë, ishte hequr edhe një tabelë ku thuhej: “Lali Eri, diktator i ekraneve!” Kështu, për shikuesit e orës 19:00, ku dhe fluksi i shikueshmërisë ishte më i madh, krijohej përshtypja se protesta ishte zhvilluar vetëm ndaj AMA-s e jo ndaj bashkisë!
Atëherë, cilin edicion të besojmë? Atë me Lali Erin, apo pa Lali Erin? A pati një ndërhyrje nga jashtë apo nga brenda televizionit? Çfarë e detyroi Vizion Plus të tjetërsojë lajmin e tij? Kush ndërhyri për të hequr nga kronika evidencat dhe parrullat ku protestohej ndaj bashkisë dhe kryetarit të saj, Erjon Veliaj, pikërisht në të njëjtën ditë dhe brenda së njëjtës redaksi?!
Redaksia nuk jep ndonjë sqarim. Por në kushtet kur akuzat ndaj bashkisë për manipulimin e mediave, përmes joshjes së pronarëve të tyre me tendera publikë po shtohen, është mirë që autoritetet e televizionit të bëjnë një sqarim publik dhe me kurajo të raportojnë të vërtetën e të pastrojnë imazhin e pretenduar!
Po ngjarja duket akoma më e komplikuar, nëse e shohim raportimin mbi protestën ndaj AMA-s më në thellësi.
Redaksia e ka konsideruar ngjarjen si një protestë të gazetarëve të Oranews. Por në përmbajtje të lajmit, ne, nuk i shohim ata! Madje në intervista janë përzgjedhur figura publike, të cilët janë organizatorët e vërtetë të protestës dhe aspak ndonjë gazetar nga Oranews, siç pretendohet në titullin kryesor. Natyrisht që ka edhe ndonjë gazetar të Oranews.
Pra këto detaje, eliminimi i protestës para bashkisë, heqja e parrullave kundër Erjon Velisë dhe theksi se protestën e ka organizuar Oranews dhe jo aktivistët e shoqërisë civile, nuk mund të jenë rastësi.
Para pak ditësh aksionerët e Vizion Plus dhe njëkohësisht anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, të Tring TV, morën licencën kombëtare private të transmetimit audioviziv nga AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive). Kështu, televizioni Vizion Plus do të ketë të drejta më të mëdha në fushën e transmetimeve dhe të produksioneve televizive, por njëkohësisht edhe përgjegjësitë publike duhet të jenë po kaq të tilla!
Kujdes! Një kronikë 30 sekondëshe, në morinë e qindra lajmeve ditore mund të konsiderohet si pa rëndësi dhe të pretendohet si rastësi, sepse është e vështirë që dikush të pranojë censurën apo autocensurën. Por ky vëzhgim synon të tregojë vëmendje se mënyra si raportohet një protestë mund të rezultojë njësoj e dëmshme sa dhe ndalimi i saj!
Dhe këtu mbërrijmë në të njëjtën pikë apo pyetje, që sot po e shtrojnë shumë: A po i meritojnë vërtet licencat kombëtare televizionet private?