Dhjetra zjarrfikës kanë mbetur të plagosur nga shembja e një ndërtese tregtare shumëkatëshe në kryeqytetin e Iranit, raporton BBC. Teksa raportohet se shumë të tjerë janë bllokuar brenda godinës që përpara rrëzimit, pasi ajo ishte përfshirë nga flakët.
Mësohet se zjarri ka vazhduar për orë të tëra dhe përpjekjet për shuarjen e tij i kushtuan shtrenjtë ekipeve të ndërhyrjes së shpejtë.
Sakaq shembja dramatike e strukturës 17-katëshe u transmetua drejtpërdrejtë në televizion.
Plasco ishte ndërtuar përpara 50 vjetësh dhe strehonte me qindra biznese, ndër të cilat edhe disa rrobaqepësi.
Muajt e fundit, drejtuesit e bizneseve atje ishin paralajmëruar vazhdimisht se duhet të largoheshin nga ndërtesa për arsye sigurie.
Presidenti Hassan Rouhani urdhëroi nisjen e menjëhershme të një hetimi, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit mendohet se do të kërkojë e pakta dy ditë.