Punimet për rikonstruktimin e plotë të sheshit “Skënderbej” në Tiranë ishin paracaktuar të kryhen në tre faza. Por zbulohet se tenderët për të gjithë projektin i ka fituar vetëm një firmë.
Kompania e ndërtimit Fusha sh.p.k është shpallur fituese e tenderit për fazën e dytë dhe të fundit të rikualifikimit urban të Sheshit Skënderbej, pa asnjë konkurrent.
Tenderi në fjalë u hap nga Bashkia Tiranë më 5 dhjetor 2016 dhe njoftimi i fituesit u publikua sot, në Buletinin e Prokurimeve Publike.
Rikonstruktimi i sheshti është një investim prej të paktën 12 milion euro, i gjithi me financim nga buxheti i bashkisë pas të cilit do të kemi përveçse një shesh të ri edhe një parkim të madh nëntokësor.
Sipas dokumenteve, e njëjta kompani ka fituar më parë edhe tenderin për ndërtimin e parkimit nëntokësor dhe për fazën e parë të rikualifikimit të sheshit Skënderbej.
Kompania Fusha shpk ishte e vetmja ofertuese në këtë tender dhe oferta e saj (rreth 7,1 milion euro) ishte sa 99,9 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion, pra një shfrytëzim maksimal i parave të vëna në dispozicion dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përderisa nuk ka pasur garë.
Fusha shpk do të paguhet në total me rreth 12,6 milionë euro për të gjithë projektin e sheshit Skënderbej. Edhe pse rikualifikimi i sheshit nisi përpara miratimit të Masterplanit të Tiranës, ky projekt është kthyer tashmë në një nga ndërhyrjet më të kushtueshme arkitektonike në qytet. Mësohet se kjo ka ndodhur dhe për faktin se e njëjta kompani është shpallur fituese në tre tenderë duke paraqitur ofertën pothuaj të njëjtë me fondin maksimal të vënë nga buxheti i shtetit.