Presidenti serb Tomislav Nikoliç paralajmëroi të dielën se “do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj”, përfshirë Kosovën, ku ai thotë se serbët janë të rrezikuar nga shqiptarët.
Pas zhvillimeve të djeshme, kur një tren serb me mbishkrimin “Kosova është Serbi” u ndalua të hynte në Kosovë, Nikolic tha se “dje u gjendëm pranë përplasjeve”. Sipas Nikolic shqiptarët e Kosovës janë duke provokuar luftë.
Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, por Serbia nuk e ka njohur dhe është përpjekur të ruajë ndikimin e saj në veri, ku është e përqëndruar pjesa më e madhe e pakicës serbe.
Institucionet e Kosovës nuk i kontrollojnë hekurudhat në veri të vendit, raporton VOA.
Nisja e trenit, sipas autoriteteve të Beogradit, ishte një sprovë me synimin për vendosjen ne linjës së rregullt Beograd – Mitrovicë. Treni sipas autoriteteve serbe u ndalua në Rashkë një komunë në Serbinë jugperëndimore.