Megjithëse nuk ka ende një reagim nga Tirana zyrtare pas incidentit të djeshëm me trenin serb të nisur për Kosovë dhe deklaratave të presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliç, dikush është përgjigjur nga politika shqiptare.
Ish-Kryeministri i Shqipërisë në kohën e Luftës së Kosovës, Pandeli Majko ka bërë një reagim pas deklaratës së fortë të Presidentit serb, Tomislav Nikoliç. Ky i fundit paralajmëroi se shqiptarët po kërkojnë luftë dhe tha se, konflikti do të ketë pasoja për ta.
Në reagimin e tij, Majko shprehet se, kjo sjellje e Serbisë dhe këto deklarata nga politika e saj nuk janë dëgjuar prej kohësh dhe nga ana tjetër ka “këshilluar” Nikoliçin duke i thënë se, shqiptarët “janë më të aftë në luftë se sa në paqe”.
DEKLARATA E MAJKOS
Serbia nëpërmjet deklarimeve të presidentit të saj ka deklaruar se “do të dërgojë ushtrinë” në Kosovë.
Një deklarim i tillë ka kohë që nuk dëgjohet nga politika serbe. Kjo mënyrë sjellje pati pasojë gjakosjen e rajonit dhe dërgoi në Gjykatën e Hagës lidershipin e Beogradit.
Të thuash dhe të bësh, janë dy gjëra të ndryshme në politikë. Historia ja ka dhënë serbëve dhe shqiptarëve mësimet e saj.
Dialogu është opsion i zgjidhjeve europiane dhe ka raport me të vërtetën e paqes që duan kombet në rajon. Kjo e vërtetë fton gjakftohtësinë të kuptojë. Politikan nuk të bën lufta. E kundërta është e vërtetë.
Trim nuk të bëjnë deklaratat e luftës. Kjo është po aq e vërtetë sa fakti se një tren nuk bëhet kishë me piktura fetare.
Të kuptuarit e luftës është akt dhe jo deklaratë. Kjo do pak mençuri në të kuptuar, e cila kombit serb, si rregull, nuk i ka munguar.
Për më tepër, shqiptarët kanë një të metë kombëtare. Ata janë më të aftë në luftë se sa në paqe. Sigurisht.