OP-ED

Ta braktisim kastën në shoqërinë e kullave të saj

gentian-kaprata

Nga Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy 

Mbreti i plotfuqishëm i pyllit, luani, sa herë shikonte ujkun i fuste një shpullë turinjve dhe për të arsyetuar këtë veprim shtonte pyetjen ‘prap pa kapele ti?’. Mirëpo, aq shumë herë ishte përsëritur kjo sa gjithë popullata e pyllit kishte filluar të dyshonte në aftësinë krijuese të luanit. Dhelpra, që ishte “mikja” e tij, kishte kuptuar dyshimet dhe i kërkoi luanit “miqësisht” të sajonte një preteks tjetër. Luani pranoi, ndërsa dhelpra nxitoi tja tregonte këtë gjithë kafshëve të pyllit. Të cilat me padurim prisnin “arsyetimin” e rradhës nga luani. Nuk zgjati shumë dhe ujku fatkeq u përball në qendër të pyllit me luanin mbret të plotfuqishëm. Të gjithë banorët e pyllit mbajtën frymën në ankth për cka do të ndodhte. Situata ishte më e komplikuar sec pritej sepse ujku kishte vënë një kapele. Suspansa disa sekondëshe u zëvendësua nga zhurma e shpullës që nuk kishte si mungonte edhe këtë here, dhe, arsyetimi i logjikshëm i luanit ‘o ujk, po prap pa kapele ti?!’.

Risjellja e kësaj fabule në vetdijen time ishte i vetmi reaksion që krijoi miratimi me vendim të Këshillit Bashkiak të Planit të Ndërtesave në Tiranë nga kasta që drejton shoqërinë shqiptare prej 25 vjetësh. Po aq e paaftë sa luani i pyllit natyral, për të ndërtuar një model ekonomik që prodhon prosperitet gjithëpërfshirës për banorët e kësaj xhunglës tonë artificiale, e vetmja gjë që bën kasta shqiptare është prodhimi i apartameteve dhe dyqaneve. Në qasjen me idiote të njohur ndonjëherë, i kthehet dhe rikthehet kësaj shpulle për ekonominë familjare e kombëtare dhe territorin e atdheut. Bën sikur i ka kuptuar gjërat: prish ndërtime paleje apo me leje të diskutueshme; bllokon lejedhënien ndërtimore, por në realitet rrotullohet rreth vetes dhe kthehet te i njëjti model. Totalisht shterpë në ide, dhe absolutisht përjashtuese në përfshirjen e atyre që mund ti kenë këto ide, kasta shqiptare betonon atdheun dhe paratë e shqiptarëve, prej 25 vjetësh.

Në fakt, ky shkrim nuk është për Planin e Ndërtesave që kasta e bashkuar padallim feje, krahine e ideje, miratoi me vendim të Këshillit Bashkiak. Ky shkrim është për Planin e banorëve dhe qytetarëve. Për Planin tonë. Dhe ajo që duhet kuptuar është se kasta mund të miratoj cfarë të dojë, por asgjë nuk ka kuptim pa përfshirjen tonë. Nuk e kam fjalën për përfshirjen tonë në procesin e hartimit, e cila është një domosdoshmëri që Plani të ketë legjitimitet dhe mundësi praktike për implementimin e tij. Jo! Sepse kasta na përjashtoi nga kjo detyrë shoqërore më shumë se e drejtë individuale. E kam fjalën për përfshirjen e parave tona në implementimin e Planit të Ndërtesave të kastës. Sikurse janë votat tona që i japin të drejtën kastës të na përjashtojë nga proceset planifikuese të Planit të Qytetarëve e të vet-hartojnë Planin e Ndërtesave, janë paratë tona (si konsumatorë të bindur) që financojnë ndërtimin e kullave dhe pallateve të tyre!

Janë paratë tona, ato që ne vet ose familjarët tanë kanë mbledhur me shumë mundim në emigracionin e tejzgjatur apo që marrim me kredi skllavëruese nga bankat e nivelit të dytë, që lejojnë kastën ti ndërtojë e ti shesi me shumë përfitim ato apartamente dhe ato dyqane. Sepse kasta nuk e ka bërë kot Planin e Ndërtesa. Ajo është shumë e qartë që ndërtesat e Planit duhen shitur, dhe shumë e sigurt që ne si banorë të bindur të pyllit artificial në domeinin e tyre do gjejmë paratë për të blerë ato produkte. Do braktisim tokën e shtëpinë në fshat, qytezë a qytetin ku jetojmë, për të ardhur buzë Lanën e për të blerë një volum të betontë për të fjetur. Për të fjetur e për të vegjetuar, në pritje që kasta të na gjej vend pune në administrate. Në të kundërt, punët e vërteta i kemi braktisur atje nga ku po vijmë. Dhe këtu nis Plani (jonë) i Qytetarëve. Plani i ndryshëm nga ai i kastës, sepse e bëjmë vet dhe në përfitimin tonë e në prosperim të atdheut.

Ta braktisim kastën në shoqërinë e vetme të kullave e pallateve të Planit të tyre. Ne paratë tona ti investojmë në idetë, aftësitë dhe iniciativat tona, në vendlidjen tonë. Na mbetet tokë pa punuar, të paguajmë për ndihmë njerëz që duan të punojnë, e të blejmë makineri moderne bujqësore që e rrisin prodhimtarinë. Na mbetet prodhim pa shitur, të ndërtojmë magazina e të blejmë makineri që e përpunojnë atë dhe e bëjnë të tregtueshëm gjatë gjithë vitit. Nuk gjejmë dot punë si mekanik, elektricist, axhustator, arsimtar, mjek apo cdo profesion tjetër, në ndërmarjet private apo publike të qytezave apo qyteteve tona, atherë të krijojmë serviset, klasat e klinikat tona. Eh sa shumë ide mund të investojmë me ato 100 mijë eurot që kasta do të na marrë, duke na shitur beton. E atyre që do na thonë se jeta bëhet në Tiranë, tu themi se jetën e bëjnë njerëzit. Dhe ne kemi vendosur të marrim përgjegjësi ndaj vetes, familjes e atdheut dhe ta vet-bëjmë jetën tonë.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

Te Fundit

To Top