Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar se në këto ditë të ftohta dimri me borë dhe ngrica, ministra e deputetë të mazhorancës janë duke shfrytëzuar këtë kohë për të bërë gjueti.
“Qytetarët në ngricë dhe acar, qeveritarët në gjah për derra të egër dhe shpezë!”, shkruan në profilin e tij në FB, ish-kryeministri Sali Berisha.
“I ftohti i këtyre ditëve në zona të caktuara të vendit, veçanërisht në rrethet e Veriut ka krijuar vështirësi të mëdha në furnizimin me ushqim, ndihmë mjekësore, dru zjarri, energji, ushqim për bagëtitë etj.
Qytetarët shqiptarë janë ndjerë në këtë situatë më të braktisur nga shteti në letër dhe cinik në shkallë ekstreme si kurrë ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar. Me dhjetëra e qindra fshatra, mijëra e mijëra familje përjetojnë një izolim të frikshëm dhe total. Ndërkohë lajmet në mediat sociale thonë se ministrat e qeverisë po shfrytëzojnë të ftohtit polar për gjueti derrash dhe shpezës, dhe ky është një cinizëm po kaq i egër sa dhe acari i temperaturave -20/-25 gr C.
Kështu, sipas tyre Gjiknuri, Ahmetaj, Beqaj janë lëshuar mbas gjahut njëri në pyjet e Gramshit, tjetri në zonën e Spillesë dhe Divjakës, tjetri në pyjet e Pukës dhe Razmës!
Kësaj i thonë derrat e kënaqur nuk mund t’ua dinë sokratëve të vuajtur, por gjuajnë derrat e egër, fllanxat dhe rosat e egra që të kënaqen edhe më tepër! Turp i paparë!!”, shkruan ish-kryeministri Sali Berisha në profilin e tij në Facebook.