OP-ED

Edi Rama, ndjesë që të kemi marrë seriozisht!

Nga Besart Kadia

Edi Rama është në pushtet në Shqipëri që nga viti i largët 1998, por në një mënyrë ose tjetrën ia ka dalë mbanë të krijojë gjithnjë imazhin e së resë. Dhe të riut, mesa duket, shoqëria shqiptare i jep mundësinë e gabimit dhe bashkë me të edhe të faljes. Në këtë kuptim, edhe në urimin e vitit të ri 2017 Edi Rama bëri një fjalim të ri, larg “fjalorit ramesk” të tri viteve të fundit. Rama kërkoi vetëm “NDJESË”. Ndjesë për gjithçka nuk shkon në shoqëri dhe nuk bëri bilanc të vetes e qeverisë së tij.

Një “State of the Union” nga rrjetet sociale, që nuk flet për arritjet, por për pamundësitë. Rama, në fund të 2016-s donte të rikthehej tek elektorati e të bëhej një nga ta dhe si një vëlla i madh që kupton dobësitë e më të voglit tha atë që ne ndiejmë: që gjërat nuk janë mirë. Por Rama në këto vite është shndërruar më shumë në personazh televiziv, sesa në Kryeministër. Ai është në TV kudo dhe për gjithçka. Tashmë do të monopolizojë dhe “ndjesën” e shoqërisë. Por kjo nuk është ndjesa e parë e Ramës.

Ndjesat janë aq të shpeshta, sa nuk duket se ka gabuar rastësisht aty-këtu, por se ka qeverisur gabim gjatë tërë kohës. Po të analizojmë disa prej “ndjesave” të tij publike, kalojmë nga mirëkuptim në zhvlerësim të këtij akti civil nga ana e Kryeministrit. Më 29 Nëntor, qeveria e tij dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes” Shyqyri Çokun, i cili është edhe hetuesi i dy figurave të shquara si At Zef Pllumi dhe Sami Repishti. Ai kërkoi ndjesë për gabimin e bërë nga Ministria e tij për dekorimin e torturuesit të Repishtit e Pllumit, të cilët Rama i cilëson “dy shpirtrave të bukur të rezistencës antikomuniste”. Sepse, thotë Rama, ne kemi gabuar pa dashje në këtë akt.

Por, ndërkohë, në katër vitet e fundit portreti i Enver Hoxhës është shfaqur kudo ku ka evente të partisë së tij që kanë lidhje me Luftën. Ministra që përkulen pranë portretit të tij në Berat, kryebashkiakë që organizojnë festa partizane në prani të portretit të Enver Hoxhës etj. Aq shqetësuese ishte kjo për qytetarët, sa edhe ambasadori amerikan ka ndërhyrë për të kërkuar distancim të Kryeministrit Rama nga to. Ndjesa akoma nuk ka ardhur… Rama ka kërkuar ndjesë dhe në mars të 2016-s. Pasi ka deformuar çdo lloj komunikimi të denjë kryeministror, ai kërkoi ndjesë për fyerjen që i kishte bërë deputetes së opozitës në Parlament. Në fjalët e tij, pasi reagimi në rrjetet sociale ishte i madh, ishte i tillë: “Vezokratët ndihen të fyer?!

Ndjesë, po s’ka qenë ky qëllimi! Thjesht jam munduar t’i marr me të mirë me pak humor, sepse i pashë të rënduar”. Ndjesa e tij vazhdoi disa muaj më vonë kur u tha gazetarëve se ligji për shpifjen është keqkuptuar nga media, pasi nuk kishte qëllim dënimin e tyre, por vetëm dënimin e politikanëve që shpifin. Por, një vit më parë, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë kërkoi publikisht që Kryeministri të kërkonte ndjesë për mënyrën se si u soll me gazetaren Erisa Zykaj në Bruksel. Ata “shprehën indinjatën për sjelljen fyese dhe arrogante të Kryeministrit, për shkak të detyrës ndaj gazetares.” Një ndjesë e tillë nuk erdhi! Edi Rama ka kërkuar ndjesë edhe në fillim të këtij viti, kur që në krye të fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste ka thënë: “Nëse jam treguar i vogël këta 30 muaj ndonjëherë, i kërkoj ndjesë.”

Por, ndërkohë nuk u ka kërkuar ndjesë as socialistëve, as publikut për faktin që deputeti i tij qëlloi me armë qytetarët në qytetin e Lezhës, që deputeti i tij akuzoi partnerin e tij, Meta, se donte ta vriste, se kryebashkiaku i tij në Dibër abuzoi seksualisht me punonjësen e tij, se avionët me drogë që mbeten në tokën tonë e bëjnë atë dhe ministrin e Brendshëm të duken si “Gjeneralë të Ushtrisë së Vdekur”, që një deputet i tij akuzohet për vrasje me dorën e tij në Bruksel, që deputeti i tij rreh me grushte deputetë të opozitës në Parlament, që për një kohë të gjatë dinamiti poshtë makinave u bë “epidemi” etj. Jo, Edi Rama e ka më të thjeshtë të kërkojë ndjesë për veshjen e tij joprotokollare kur shkoi në Kosovë në takim zyrtar me Kryeministrin e vendit me xhinse e pa kollare, në prill 2016, por kritikon punonjësit në drejtoritë e tatimeve në rrethe për veshjen e tyre jozyrtare…

Kryeministri Edi Rama u kërkoi publikisht ndjesë shqiptarëve, por jo opozitës, për fjalorin e përdorur në seancë parlamentare para dy vitesh. Nga foltorja e Parlamentit, Kryeministri pranoi se kishte shkelur etikën në një moment emocional, duke mërmëritur nën zë. “Dua t’ju kërkoj ndjesë të gjithë atyre që janë ndjerë të bezdisur nga transkriptimet e ekranit tuaj. Transkriptime shumë hileqare, por që nuk justifikojnë Kryeministrin. Pavarësisht nëse u thanë me zë apo u mërmëritën pa zë.” Mërmëritja: O rrot …! Edi Rama kërkoi ndjesë dhe para një jave, kur firmosi shkarkimin e Elvis Rroshit në bazë të të dhënave të fundit për të shkuarën e tij kriminale.

Por, çuditërisht, nuk i kërkoi ndjesë opozitës dhe qytetarëve të vendit për faktin se është marrëzi që sistemi ynë ligjor apo politik ka lejuar që një i dyshuar për krime të rënda të jetë shërbyes publik dhe të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë. Thënë të gjitha këto, nuk ka akt më të bukur dhe energjizues në shoqëri sesa kur pushtetari numër një i vendit bëhet realist dhe shpjegon se shumë gjëra nuk janë në dorë të tij dhe se sistemi shtetëror ka vend për përmirësim dhe ka të meta strukturore. Por, fatkeqësisht, Edi Rama ka mjekrën dhe flokët e bardha tashmë, por jo arsyen. Edi Rama nuk kërkon ndjesë se kupton gabimin.

Ndjesa është kamuflim i së vërtetës: i gabimit. Edi Ramën e morëm seriozisht në premtimet e 2009-s, kur fliste “përtej së majtës dhe së djathtës”. Menduam se po ofronte dhe se do të ishte i gatshëm të konvertonte Partinë e tij të vjetër të Punës në një parti të gatshme për ta çuar Shqipërinë në modernitet e në zhvillim në 2013-n. Por gabuam. Dhe për këtë ka ardhur koha që publiku të të kërkojë ndjesë ty. è Të kërkojmë ndjesë që të kemi mbajtur të preokupuar me çështjet dhe hallet tona që nga viti i largët 1998, kur ishte ministër Kulture dhe, siç thoshe dhe ti, “është e vështirë të jesh ministër në një shtet me kulturë të tillë”.

Të kërkojmë ndjesë. Të kërkojmë ndjesë që të bëmë kryetar bashkie në vitin e largët 2001 për të udhëhequr zgjerimin dhe zhvillimin më të madh ekonomik që ka parë Tirana jonë në 100 vitet e fundit. Të kërkojmë ndjesë që të erdhëm në zyrat e Bashkisë dhe për nevojat e paprecedenta të strehimit të Tiranës, të detyruam që të na shërbeje me përkushtim e pastërti gjatë krijimit të miliarda dollarëve pasuri në Tiranë, ndërkohë që të paguanim më pak se 1000 euro në muaj. Të kërkojmë ndjesë që nuk të kuptuam kur u bashkove me Ilir Metën për të hequr Fatos Nanon, kur iu kundërvure Ilir Metës në 2008-n, kur sulmove Kryeministrinë në 2011-n kundër Ilir Metës dhe kur u bashkove me Ilir Metën në 2013- n. Ndjesë për keqkuptimin tonë. Të kërkojmë ndjesë që akoma dhe sot, në 2017-n, nuk të kemi kuptuar se si do jeni në “ujdi” ju dhe bashkë me ju politika shqiptare.

Të kërkojmë ndjesë që të kemi mbajtur në skenën publike për pothuajse 20 vjet dhe që të gjitha problemet politike e ekonomike të këtyre viteve nuk të kemi dhënë ty pushtet absolut për t’i zgjidhur. Të kërkojmë ndjesë që opozita me liderin e saj të ri të kritikon. Sepse te ty nuk është çështje aftësie, se ti je në gjendje të kuptosh ekonominë e biznesin si asnjë njeri tjetër, por mundësie. Ndaj si Kryeministër këto tri vite e gjysmë ne të kërkojmë ndjesë që menduam se ti do të rilindje ekonominë e vendit dhe do të hapje 300.000 vende të reja pune me të vërtetë.

Ne e dimë që ty s’të kanë lanë, sidomos opozita, të cilën ti e akuzon tërë kohën si shkatërruese e bashkë me ta, të paktën gjysmën e shqiptarëve. Të kërkojmë ndjesë që nuk të dhamë 140 deputetë, sepse ¾ nuk mjaftojnë për të arritur objektivat e tua, që janë gjithnjë më të mira dhe më të pastra se kushdo i dytë pas teje. Ne të kërkojmë ndjesë që të detyruam të rrisje moshën e daljes në pension dhe që hoqe nga radhët tona 20 mijë familje nga ndihma ekonomike. Ne të kërkojmë ndjesë që, ndërkohë që ti kishe nevoje për ne, ne u larguam me qindra-mijëra drejt Gjermanisë e Francës për të kërkuar azil. Është faji jonë dhe të kërkojmë ndjesë.

Ne të kërkojmë ndjesë që të detyruam të marrësh borxh 1 miliard dollarë e të mos ndërtosh dot asnjë rrugë apo spital të ri me këto para. Ne të kërkojmë ndjesë që të detyruam të rrisësh çmimin e naftës në vend, sepse, siç dhe ti na e vure në dukje, “ishim shëndoshur shumë” dhe përdorimi i makinës ishte shndërruar në problem. Ne të kërkojmë ndjesë që shkojmë në spital dhe mjekët janë po aq joprofesionalë sa më parë dhe që ilaçet janë me lekë dhe asgjë s’është falas.

As parkimi i makinës në spital. Ne të kërkojmë ndjesë që 45% e jona jeton me më pak se 5$ dita dhe nuk arrijmë të kuptojmë të mirat e miliona dollarëve të investuara për qendrat e qyteteve dhe zbukurimet e ministrive, të kërkojmë ndjesë që nuk i kuptuam të mirat e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, ndërkohë që mbi 30 mijë prej nesh ishin në burg për mospagim të saj. Të kërkojmë ndjesë që të kemi detyruar të shtosh numrin e rregullave, ligjeve e gjobave për të na bërë të jemi qytetarë të denjë për vizionin tënd. E dimë që s’është e lehtë të gjesh ligje për të na bërë ne më të mirë. Të kërkojmë ndjesë që të detyruam të rrisësh taksat në kurriz tonë, sepse të paguhesh mbi 1000 euro, duhet të paguash 23% dhe të marrësh 100 milionë euro koncesion, duhet të paguash vetëm 15% tatimfitimi, sepse kjo është drejtësi sociale e rishpërndarje.

Gjithashtu, të kërkojmë ndjesë që zgjedhjet janë një herë në katër vjet, pasi është shumë pak kohë për të realizuar projektin e vërtetë që ti ke për ne. Sepse që kur ti ke shërbyer si ministër, kryetar partie, kryebashkiak e Kryeministër për 20 vjet, gjithë faji ka qenë i tjetërkujt dhe asnjëherë i yti, se ti nuk je si ta. Ti je Edi Rama që përditë- sohesh në një variant të ri çdo vit, për të qëndruar në treg. Këtë vit të duhet të jesh “NDJESA”.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Te Fundit

To Top