Kryeministri Edi Rama do të shpenzojë 10 milionë euro në kryeministri gjatë vitit 2017.
Shifra marramendëse është bërë publike nga kreu i opozitës, Lulzim Basha me anë të një videoje denoncuese që ka bërë publike në profilin e tij në Facebook.
Sipas Bashës, këto para Edi Rama i ka parashikuar për ti shpenzuar gjatë vitit të ardhshëm vetëm për luksin e tij në kryeministri.
Në atë që denoncon Basha, thuhet se gjatë 2017 Rama ka parashikuar që të ngrejë në ambientet e kryeministrisë një restorant dhe një bar luksoz vetëm për veten e tij.
Por sipas kreut të PD-së, Rama në kryeministri do të ngrejë edhe një sallë masazhi dhe një fushë basketbolli vetëm për të kënaqur qejfet e veta.
“10 mln euro do të harxhojë kryeministri Rama në vitin 2017 për luksin e tij. Këto para do të financojnë luksin dhe argëtimin në godinën e Kryeministrisë. Një restorant personal, një bar personal, një sallë për konjak dhe puro, një sallë masazhi dhe fizioterapie, një sallë kinemaje, një sallë ekspozitash, një sallë basketbolli. Buxheti 2017 për qejfin e kryeministrit, jo për hallet e njerëzve”, thuhet në video.