AKTUALITET

Investigimi/ Kryebashkiaku i Durrësit garantoi punësimin e Lulzim Berishës

lulzim-berisha-1

Nga Aleksandra Bogdani dhe Besar Likmeta

Bileta e parakohshme e lirimit nga burgu për ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u vulos më 5 dhjetor nga Gjykata e Apelit, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të  dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit të siguruar nga BIRN,  trupa gjyqësore e kryesuar nga Arben Vrioni dhe me anëtarë Petrit Çenon dhe Anita Micin rendit nëntë argumente në favor të lirimit të Lulzim Berishës, ku më kryesori është kushti i kryerjes së ¾ të dënimit sipas përcaktimit të nenit 64 të Kodit Penal. [Kiko këtu për vendimin]

I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg. Megjithatë, në vendimin e Gjykatës së Apelit llogaritet se ai ka shlyer 18 vjet, 9 muaj e 22 ditë nga dënimi i tij prej 25 vjetësh, pasi ka përfituar 3 ulje të mëparshme dënimi, një ulje të katërt nga amnistia e vitit 2012 dhe nga koha e gjatë e qëndruar në paraburgim.

Përveç matematikës së ditëve të burgut, Lulzim Berisha ka bindur Gjykatën e Apelit të Durrësit se “është arritur qëllimi për edukimin dhe riintegrimin e tij në shoqëri”. Për këtë gjykim, treshja e gjyqtarëve është bazuar tek raportet pozitive të administratës së burgjeve si dhe një karakteristikë familje të lëshuar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako më 8 korrik 2016.

“Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat,” citohet shkresa e Dakos në vendimin e lirimit.

Më pas, gjyqtarët argumentojnë se “pozitiv vlerësohet fakti se aktualisht kërkuesi Lulzim Berisha ka një mundësi punësimi të garantuar nga Bashkia Durrës”.

Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka marrë gjithashtu vlerësimin se Lulzim Berisha “shfaq një gjendje shumë të rënduar psikologjike për shkak të kohës së gjatë të dënimit të vuajtur”, pendesën e tij për krimet dhe faktin se dy prindërit e tij janë të sëmurë rëndë dhe jetojnë vetëm.

Dako nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për të komentuar garancinë e tij për Lulzim Berishën. Mbi këtë çështje refuzuan gjithashtu të komentojnë edhe gjyqtarët Arben Vrioni dhe Petrit Çeno.

Uljet e dënimit 

Vendimi i Gjykatës së Durrësit, i cili i ka dhënë të drejtë Berishës të përfitoj nga amnistia | Foto : BIRN

Vendimi i Gjykatës së Durrësit, i cili i ka dhënë të drejtë Berishës të përfitoj nga amnistia | Foto : BIRN

Pas arrestimit të bujshëm të 6 prillit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli.

Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2014 rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi gjatë viteve 2015-2016.  Në tre vendime të veçanta, Berisha përfitoi uljen e më shumë se 2 viteve burg, ndërsa një vendim i katërt i amnistoi atij edhe 1 vit e 6 muaj burg për shkak të amnistisë së vitit 2012.

Një tjetër faktor që ndikoi në reduktimin e dënimit të tij është zgjatja për vite të tëra e procesit gjyqësor, ku një ditë në qeli si i paraburgosur llogaritet me 1.5 ditë burg.

BIRN analizoi të gjitha vendimet e Gjykatës së Durrësit dhe arriti në përfundimin se ato janë kontradiktore, me bazë ligjore të diskutueshme dhe të mbivendosura në kohë.

Më saktësisht, në shtator të vitit 2015, me vendim të gjyqtares Shpëtime Pitaku, dënimi i Berishës për periudhën 2006-2015 është ulur me 1 vit e 11 muaj burg.

Më tej, më 19 prill 2016, me vendim të gjyqtarit Tritan Hamitaj, Lulzim Berisha ka fituar një ulje dënimi prej 90 ditësh për periudhën prill 2015 –prill 2016, edhe pse ligji parashikon se të dënuarit në burgjet e sigurisë së lartë nuk mund të përfitojnë më shumë se 45 ditë ulje dënimi gjatë një viti.

Më 11 maj të këtij viti, me vendim të gjyqtarit Fejzo Hysi, Berisha ka përfituar nga amnistia e vitit 2012 edhe 1 vit e gjysmë ulje dënimi, edhe pse ligji i amnistisë e mohon kategorikisht këtë të drejtë për të dënuarit me vrasje.

Ndërsa me 1 dhjetor, gjyqtarja Eda Kaja ka dhënë një vendim tjetër, duke i ulur edhe 45 ditë burg nga periudha e vuajtjes së dënimit Lulzim Berishës.

Vendimet e marra nga gjyqtarët Kaja dhe Hamitaj janë në kontradiktë me njëri tjetrin për masën e uljes së dënimit dhe të mbivendosura në kohë.

Lulzim Berisha e ka kërkuar lirinë me kusht që në mesin e vitit 2016, por gjykata e Durrësit e ka hedhur poshtë me 28 korrik, duke argumentuar se ai nuk i kishte kryer akoma ¾ e dënimit prej 25 vjetësh, me gjithë uljet e përfituara deri në atë kohë.

Vendimi i Gjykatës së Apelit, Durrës, me kryesues gjyqtarin Arben Vrioni | Foto nga : BIRN

Vendimi i Gjykatës së Apelit, Durrës, me kryesues gjyqtarin Arben Vrioni | Foto nga : BIRN

Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi më 5 dhjetor se kjo kohë është përmbushur pas vendimit të uljes së dënimit me 45 ditë, dhënë më 1 dhjetor nga gjyqtarja Eda Kaja.

Sipas gjykatës, në përllogaritjet e bëra me datë 2 dhjetor, me uljet e përfituara edhe nga vendimi i fundit i shkallës së parë, Berisha kishte vuajtur virtualisht 18 vite e 9 muaj heqje lirie dhe i mbeteshin edhe 6 vite 2 muaj dhe 22 ditë burg, duke përmbushur kriterin bazë të lirimit me kusht.

Në vendimin e lirimit, Gjykata e Apelit Durrës urdhëron Berishën që për një periudhë 5 vjeçare të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës, duke iu nënshtruar programit rehabilitues dhe kushtëzohet që të mos kryejë vepër tjetër penale.

Vendimi i lirimit të Lulzim Berishës shkaktoi reagime të ashpra në Tiranë nga politikanë të mazhorancës dhe opozitës si dhe nga ambasadori amerikan, Donald Lu.

“Të mërkurën, kreu famëkeq i krimit të organizuar Lulzim Berisha u lirua nga burgu për arsye të panjohura. Ai vuajti më pak se gjysmën e dënimit me 25 vite burg, për 6 vrasje, trafik droge dhe krim të organizuar. Të gjithë duhet të indinjohemi nga ky lajm dhe duhet t’u themi gjykatave të korruptuara se në një demokraci kjo është e papranueshme,” tha ambasadori Lu.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

Te Fundit

To Top