Djali i ish-Presidentit: Votat e kujt i duhen Ramës për të mbetur kryeministër dhe deklarata e Metës

NGA DENION MEIDANI

Për shumë analistë e politikanë, z. Rama ruan sot karrigen kryeministrore vetëm falë votave, vullnetit politik dhe dëshirës për stabilitet e integrim të LSI-së.

Nga ana tjetër, është më se e qartë sot, që performanca skandaloze e “luftërave” apo reformave ekonomike, atyre në arsim e shëndetësi, dikur premtime të bujshme elektorale, por dhe ndotja e tejskajshme dhe ligji i nxituar antishqiptar i plehrave, aq më keq, fatura abuzive e koncesioneve e monopoleve, ajo e administratës së korruptuar, e tenderëve dhe prokurimeve; stanjacioni apo rritja e munguar ekonomike, shtimi i taksave dhe ngritja e barrës fiskale, papunësia kronike, inkriminimi i shtetit dhe strukturave të tij qeverisëse dhe kanabizimi i vendit pritet ta reduktojnë ndjeshëm peshën elektorale të PS-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Pra, për të mbetur kryeministër, siç dhe e shprehu me mjaft arrogancë vetë dëshirën dhe qëllimin e tij, z. Rama do i duhen jo vetëm votat e LSI-së, që duhet të rritet mjaftueshëm për të kompensuar tkurrjen e PS-së, por të një PDIU të rritur gjithashtu nga materializimi i pushtetit, ndoshta dhe nga tepricat e koalicionit të ri, që duhet të jetë mjaft i gjerë për të arritur tepricat dhe tek partia e tretë (!).

Mbase, për një tkurrje të konsiderueshme do të duhet dhe “input”-i i partive të tjera si LIBRA, PAA, PSD e PDS, nëse ato do të arrijnë që të sigurojnë një prezencë parlamentare modeste, por përsëri të mjaftueshme për t’u formuar sërish pas zgjedhjeve një qeveri majtas (gjithmonë vetëm në spektër, më shumë në retorikë e “llafollogji”, por jo në ideologji).

Por, ama, as kjo nuk garanton që Rama do të mbetet kryeministër në këtë qeverie të re. Në këtë kuptim, mbase dhe fjala e z. Meta në Universitetin e Tiranës ishte një përgjigje për më së miri. Ndër të tjera ai tha se “…shpesh herë vendimmarrjet kanë qenë edhe të nxituara, jo vetëm për shkak, ndoshta, ndonjëherë të vullnetit politik jo shumë të përgjegjshëm dhe të përmbajtur, por edhe për shkak të mungesës së njohurive të duhura në fusha të caktuara”.

Një mënyrë, mbase, për ta ndarë çështjen e koalicionit si stabilitet politik me atë të bashkëqeverisjes, të aseteve bazike të saj si drejtuese e përfaqësuese të vullnetit të sovranit. Dhe kjo do të thotë shumë në gojën e Ilir Metës! Të shohim nëse ai do të qëndrojë këtu apo do të ecë më tej në projektimin qeverisës…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *