Një 31-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, nga karabinierët e Perugia-s i akuzuar për vjedhje të shumta në apartamente të marra me qira nga studentët, në të cilat ka marrë çanta, celularë, kartëmonedha dhe portofola.
Siç raportojnë sot mediat lokale, ai është quajtur “Arsen Lupen” i Monteluce–s (në Perugia).
Hetimet kanë treguar se shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ishte arrestuar katër herë të tjera më parë si dhe ishte dëbuar nga territori italian, por mesa duket kishte hyrë sërish në Itali, në mënyrë klandestine, shkruan Syri.net.
Ai është ndaluar pas një urdhri të prokurorisë. Hetuesit kanë zbuluar se në dy raste, më fund të tetorit dhe në mes të nëntorit, 31-vjeçari është njohur nga disa vajza që ishin zgjuar nga gjumi teksa shqiptari ‘ishte në aksion’ në dhomat e tyre.
Në vitin 2015, ai është ndaluar nga karabinierët teksa lëvizte i veshur me të zeza në qendrën e vjetër të qytetit, dhe me vete kishte disa mjete për vjedhje, të fshehur nën rroba.