Demokratët kanë akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për aksidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vlorë ku humbi jetën 17-vjeçari Kristo Panajoti.
Nga selia blu permes një deklarate për mediat Arben Ristani, tha se projekti Lungomare nuk është kthyer në ferr për vlonjatët gjatë sezonit turistik, por tashmë edhe në shkak për aksidente fatale, duke nënkuptuar gropat e hapura.
Sipas Ristanit, ndonëse në vendin tonë vdesin çdo ditë persona, kryeministri shëtit duke parë ndeshje futbolli apo hapur ekspozita të pikturave të tij.
“Lungomarja e ferrit për vlonjatët gjatë sezonit turistik, është kthyer në Lungomaren e vdekjes. Një i ri humbi jetën dje aty, për shkak të një grope në Lungomare dhe në vend që qeveria e Edi Ramës të mbante përgjegjësi për mungesën e sinjalistikës për punimet që vazhdojnë pa fund e janë kthyer në makth për qytetarët, për gropat që lë pas kudo, rend t’ua kalojë, siç bën gjithmonë, përgjegjësinë të tjerëve, fajin tek viktimat. Ndërsa vrasjet, vdekjet nga aksidentet, varfëria, mjerimi, papunësia shtohen, Edi Rama vazhdon të shijojë qejfet e tij nga Neë Yorku në Paris nga Milano në Mynih. Sot çdo shqiptar e di që Edi Rama e donte pushtetin për veten e tij, për të rendur pas suksesit të munguar si piktor, për të blerë bileta mijëra dollarëshe, për të ndjekur ndeshjet e NBA në Majami, vizitat në stadiumin e Bajernit të Munihut apo pazaret në dyqanet më të shtrenja të botës”, deklaroi Ristani