Kryeministri Edi Rama në takimin e sotëm me fermerët në Peqin ka biseduar për çështjet e bujqësisë me pyetje dhe përgjigje. Në vrazhdën e pyetjeve një vajzë e re, që kishte mbaruar Universitetin me nota të larta i ka shprehur shqetësimin se nuk gjen punë. Kësaj pyetje ashtu siç ndodh shpesh, kreu i qeverisë i është përgjigjur se nuk do dëshironte të bënte debat me të pasi si puna e saj ka shumë.
Pas kësaj, deputetja Mimoza Hafizi, tashmë pjesë e partisë LIBRA, ka reaguar duke thënë se përballë dështimit për të ofruar punë dhe plagës që shkaktoi Rilindja në administratën dhe shërbimin publik, Rama zgjodhi të fshihej në arrogancën e tij.
REAGIMI I DEPUTETES HAFIZI:
Kryeministri prapë sot u fsheh në strehën e arrogancës së vet kur një vajzë e re i kërkoi llogari se pse nuk arrin të punësohet si infermiere, megjithë rezultatet e larta në studime. Se kryeministri e ka të vështirë të pohojë që qeveria e tij ka dështuar t’i japë pacientëve infermierin më të mirë, fëmijëve mësuesin më të zot, qytetarëve nëpunësin më të aftë e të përkushtuar. Administrata dhe shërbimet publike gëlojnë nga paaftësia dhe korrupsioni. Për këtë mund të dëshmojë çdo qytetar. Kjo situatë ka dekurajuar edhe përpjekjet e të rinjve për shkollim serioz. Arroganca e kryeministrit s’mund ta mbulojë plagën e madhe që Rilindja i shkaktoi administratës dhe shërbimit publik.