Rama vendos klientët e tij për të kontrolluar dosjet e ish-sigurimit

Nga Boldnews.al

Të enjten e shkuar, kryeministri Rama vulosi me votim në Kuvend krijimin e “Autoritetit për Informimin për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit”. Në krye të këtij Autoriteti ai emëroi, znj. Gentjana Sula. Por kjo e fundit është bashkëshortja e pronarit të kompanisë “AGI KONS” sh.p.k, një pjesëmarrës shembullor tenderash, i pranishëm, pothuajse në çdo buletin javor që publikon tenderimet e fondeve publike.

Pra, lidhjet e klientëve të qeverisë po forcohen dhe rrethi interesave mes tyre po ngushtohet!

Vetëm pak javë më parë, AGI KONS” sh.p.k së bashku me kompaninë “EDIL AL-IT” sh.p.k fituan tenderin për “Rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Ansamblit Kombëtar” me një vlerë prej rreth 10 miliardë lekësh të vjetra. Parregullsi dhe procedura të dyshimta gjatë kryerjes së këtij tenderi u raportuan në media.

Por miliardat e fituara prej fondeve publike nuk mjaftojnë për arritjen e begatisë së familjes Sula e cila tani po kërkon të ngjisë shkallët e karrierës në korridoret e Kryeministrisë.

Tashmë klientët e qeverisë, përfituesit prej e fondeve publike, përmes investimeve publike po fitojnë edhe besimin përmes përfshirjes në strukturat e larta drejtuese të qeverisjes.

Sidoqoftë, bashkëshortja e pronarit të kompanisë “AGI KONS” sh.p.k, e preferuara e kryeministrit Rama, znj. Gentjana Sula u zgjodh me 77 vota pro si Kryetare e ‘Autoritetit për Informimin  për Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit’, e rekomanduar nga qeveria. Dhe jo vetëm kaq!

Krahas shqyrtimit të dosjeve,  Autoriteti do të ketë edhe tagrin për verifikimin e zyrtarëve të lartë. Por sipas Ligjit “Për të Drejtën e Informimit,… fusha e zbatimit të tij shtrihet edhe ndaj anëtarëve të qeverisë, të cilët sipas legjislacionit shqiptar janë edhe titullarët e autoriteteve kontraktuese që organizojnë procedurat e tenderimit të fondeve publike!

Pra, është e mundshme që në të ardhmen, znj. Sula të çertifikojë të njëjtët njerëz si titullarë që do të zbatojnë procedurat e atyre tenderave, ku i shoqi i saj do të jetë pjesëmarrës!

A kemi këtu një konflik interesi; një vendimmarrje aktesh administrative të ndërthurura me interesa private?! Pra, a do të luajë një rol, caktimi i  mundshmëm i znj. Sula në krye te Autoritetit të Informimit, në fatin e tenderave të fondeve publike ku do të marrë pjesë bashkëshorti i saj, z. Sula?

Sipas Ligjit “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet,… që rregullon statusin e Kryetarit të Autoritetit, në nenin 9, i cili përcakton kriteret që duhet të përmbushë anëtari i Autoritetit, përjashtohet kandidati që ka konflikt interesi (pika f).

Por kryeministri Rama, jo vetëm nuk e ka përjashtuar, por përkundrazi, duke e propozuar, zyrtarisht ne emër të tij, i siguron znj. Sula garancinë e aprovimit pa patur as nevojën e grumbullimit të firmave prej 28 deputetësh, të domosdoshme për anëtarët e tjerë të Autoritetit (Autoriteti do të ketë pesë anëtarë, nga të cilët do të zgjidhet dhe Kryetari).

Ndoshta jo rastësisht, e njëjta situatë konfliktuale interesash, përfshiu edhe ministren e kulturës, Znj. Mirela Kumbaro Furxhi me pronarët e kompanisë “EDIT AL-IT” sh.p.k, të cilët kishin të punësuar bashkëshortin e saj e që më pas, u shpallën fitues së bashku me “AGI KONS” sh.p.k, në të njëjtin tender “Për Teatrin e Operas dhe Ansamblit Kombëtar“ të organizuar nga kjo ministri. Kujtojmë se, vetëm dy ditë përpara se të shpallej fituesi i këtij tenderit, “Vizion Plus” ndaloi transmetimin e programit investigativ “Públicus”, një program që demaskonte dhe dokumentonte parregullsitë me fondet publike.

Ndonëse gjatë zhvillimit të tenderit në fjalë, një numër faktesh dhe parregullsish u raportuan në media, deri sot nuk ka asnjë reagim prej autoriteteve.

Gjithnjë e më shumë, një numër i kufizuar individësh e kompanish po korrin frytet e ‘Partneritetit Publik Privat’ dhe po shndërrohen në klientë të preferuar të qeverisë në heshtje të plotë, larg vëmëndjes së publikut, në mungesë të theksuar të transparencës dhe të llogaridhënies!

Media që ata financojnë, gjithashtu hesht! Gazetarët që guxojnë të hedhin dritë mbi këto afera korruptive pushohen nga puna! Një pakicë, jashtë influencës,  shpërfillet, e baltoset!

E ardhur në pushtet tre vjet më parë, qeverisë do t’i duhen edhe disa muaj të tjerë për të mbyllur bilancin e mandatit të saj. Deri atëherë ka ende rrugë, por  një gjë është mbyllur përfundimisht: krijimi i një pakice oligarkësh fuqiplotë që kontrollojnë të gjithë strukturën ekonomike dhe politike të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *