Buxheti 2017/Prokuroria është e kënaqur nga qeveria, ndërsa gjyqësori jo!

Gjyqësori kërkon më shumë fonde nga sa ishte parashikuar në buxhetin e vitit 2017.

Në Komisionin parlamentar të Ligjeve, Drejtoresha e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, Luljeta Laze, ka kërkuar rritje të buxhetit me rreth 60 milionë lekë.

Sipas Lazes, probleme ka me zërin e shpenzimeve për personelin dhe investimet, ku vetëm për mirëmbajtjen e audios në sallat e gjyqit duhet rreth 13 milionë lekë.

Luljeta Laze: Kërkesa për shtesë e numrit të punonjësve të administratës gjyqësore vjen terësisht në funksion edhe me proçeset e reformës. Me aq sa ne pamë sigurisht që nuk janë target tona për t’i përcaktuar ato nevoja përfundimisht, por ligji mund të lexohet.

Laze tha se buxheti për vitin 2017 është më i ulëti se ai një viti më pare, kështu për këtë vit do të jepen 2.1 miliardë lekë, ndërkohë që për vitin 2016 buxheti është 2.2 miliardë lekë, ndërsa duhet të kihen parasysh edhe ndryshimet që mund të bëhen nga reforma në drejtësi.

Por pretendimet e Lazes sollën edhe reagimin e anëtarëve të Komisionit, të cilët kërkuan më shumë detajime për fondet e kërkuara.

Fatmir Xhafaj: Mbahuni tek situata që keni sot, ai do të jetë një parashikim tjetër. Sepse ju nuk e dini se sa gjykata do të ketë, mos u përfshini me pjesën që ka të bëjë me reformën.

Pretendime për buxhetin patën edhe përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese. Edhe për këtë gjykatë, këtë vit është parashikuar një ulje e fondeve me 114 milionë lekë nga 115 milionë që është për 2016.

Ata kërkuan shtim fondesh në shpenzime operative.

Kujtim Osmani: Në ligjin e ri do të bëhet ndarja e çështjeve me short elektronik, por këtë do ta shohim a do të bëhet me short elektronik apo do të bëhet sipas alfabetit, do të jenë probleme që do ti zgjidhim ne brenda vetes, nuk do t’ju rëndojmë kokën me këto gjëra. Por faktikisht në ligj është parashikuar një gjë e tillë.

Ndërsa institucionet që nuk shfaqen pretendime për buxhetin ishin Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Për këtë arsye, përfaqësuesit e KLD-së nuk u paraqitën për diskutim në Komisionin e Ligjeve.

Ndërsa institucioni i akuzës ka kërkuar që të jepet një zgjidhje e faturave të prapambetura të këtij institucioni për shpenzimet operative.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *