Një 40-vjeçare shqiptare është dënuar me katër muaj burg në Itali, dënim që u konvertua me 30 mijë euro gjobë, pasi refuzoi të hiqte perçen në mbledhjen e këshillit të të rinjve në San Vito al Tagliamento, në provincë të Pordenones.
Shqiptarja, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, refuzoi të identifikohej në mbledhjen e këshillit të qytetit, ku djali i saj ishte një prej të zgjedhurve.
Pas refuzimit të gruas, kreu i Bashkisë, Antonio Di Bisceglie thirri policinë për të bërë identifikimin e saj, por sërish shqiptarja nuk pranoi ta hiqte perçen. Kjo situatë e detyroi kryetarin e Bashkisë që të ndërpriste mbledhjen dhe ta dërgonte çështjen në gjykatë.
Në përfundim të procesit, gjykata njohu shkeljen e nenit 5 të ligjit të 22 majit të vitit 1975 që ndalon përdorimin e helmetave mbrojtëse dhe çdo barrierë tjetër që pengon njohjen e personit në publik pa justifikim.