Para dy muajsh kompania ARMO rifilloi aktivitetin në rafinimin e naftës e cila prej muajsh ishte bllokuar. Në fillim të muajit tetor sipas premtimit të qeverisë dhe vetë kryeministrit të vendit Edi Rama prodhimi i naftës në këtë rafineri do të ishte intesiv.
“Investitorë amerikanë shumë seriozë kanë marrë përsipër vazhdimin e punës, përmirësimin rrënjësor të kushteve dhe unë kam shumë besim se situata do të ndryshojë”, deklaroi Rama në inagurimin e rafinerisë dy muaj më parë. Denoncime të shumta erdhën në atë kohë nga opozita ku e denoncoi marrëveshjen e ARMO-s si një aferë korruptive të drejtuar nga vetë kryeministri.
Ja denoncimi i Partisë Demokratike dhe kush fshihet pas kësaj aferre:
“Skema është e njëjtë. Ashtu siç ndodhi me konçesionin e TVSH-së që u denoncua nga opozita, ashtu siç po ndodh me portin e Karpenit e më shumë asete të tjera. Kompani off-shore, pa kapitale, me pronarë të paidentifikueshëm, shtijnë në dorë pasuritë e shqiptarëve. Por këtë herë ka një emër dhe një biznesmen të qeverisë qartësisht të përfshirë. Mikun e Ramës, Besnik Sulën. Skema e Ramës dhe shërbëtorëve të tij përfshiu shantazhet dhe presionet që ARMO t’i dorëzohet biznesmenit të mirënjohur dhe mbështetës së kryeministrit”, deklaroi deputetja Jorida Tabaku.
Nga zemra e zonës naftëmbajtëse të vendit, në Zharrës, kryeministri Edi Rama tha se marrëveshja për kompaninë ARMO ishte një premtim i mbajtur që zgjidh përfundimisht krizën e saj të gjatë.
Por gjatë një vizite në këtë rafineri, ministri i Financave tha se ndryshe nga ankesat e opozitës, rivënia në punë e ARMO-s është lajm i mirë për mijëra familje.
“Hapja e rafinerisë është një lajm i mirë, mbi të gjitha për këta 1.200 punonjës dhe familjet e tyre, të cilët nga sot kanë sërish një punë. Kryeministri premtoi riaktivizimin e industrisë së naftës dhe sot ky është premtim i mbajtur dhe përgjigjja më dinjitoze për kukuvajkat e SHQUP-it, që sot vajtojnë për lajmin tuaj të gëzuar”, tha Ahmetaj.
për tej këtyre fjalimeve të kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Financave si dhe ministrit të Energjitikës Damian Gjiknuri ajo çka ndodhi mbrëmjen e djeshme në rafinerinë e naftës në Ballsh regjistroi një ndër shpërthimet më të mëdha në këtë industri dhe e para e përmasave tragjike me vdekjen e një puntori dhe plagosjen e 6 të tjerëve. Ndërkohë në repartin e djegie –plastikës në Tiranë ndodhen 4 të plagusur të tjerë të cilët janë në gjëndje kritike për jetën.