“Loro Boriçi” do të mbetet shtëpia e Kombëtares. Federata Shqiptare e Futbollit konfirmoi se ndeshja e 12 nëntorit ndërmjet kuqezinjve dhe Izraelit, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2018, do të luhet në Shkodër.
Impianti më modern në vend do të jetë gati për sfidën që do të luhet pas dy javësh, me ndërhyrjet në tapetin e fushës që kanë përfunduar. Bari është rimbjellë në sektorët që kanë qenë të dëmtuar nga ngarkesa të cilës iu nënshtrua fusha, por edhe për shkak të reshjeve, ndërsa kompania greke që është ngarkuar me ndërtimin e fushës ka dhënë garanci se deri në ditën e ndeshjes tapeti do të jetë në gjendje optimale.
“OK”-ji përfundimtar do të jepet nga inspektorët e UEFA-s, që më 4 nëntor do të vëzhgojnë ndërhyrjet e bëra në tapetin e “Loro Boriçit”, për të konfirmuar se gjithçka është komform standardeve të kërkuara. Fakti që ndeshja do të luhet në Shkodër ishte i kuptueshëm edhe sepse prej disa ditësh, FSHF ka nisur shitjen e biletave për sfidën me Izraelin, ku mbështetja e publikut do të jetë tejet e rëndësishme përballë skuadrës që cilësohet si rivali direkt i kuqezinjve për vendin e tretë në Grupin G.