Basha thirrje për largimin e Ramës: Të shkëpusim hallkën mes krimit dhe pushtetit

Kushdo që është kundër krimit në pushtet, kundër drogës dhe kundër prishjes dhe kapjes së zgjedhjeve të bëhet pjesë e aleancës qytetare për largimin e Edi Ramës dhe kthimit të vendit në normalitet.

Ka qenë kjo thirrja që ka bërë nga Vora, gjatë një takimi me drejtues të strukturave të PD, kreu i selisë blu Lulzim Basha.

Sipas tij Aleanca kundër krimit në pushtet po rritet çdo ditë.

Basha nënvizoi se pa dekriminalizimin e pushtetit nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme për vendin si dhe nuk mund të ketë siguri dhe mirëqënie për qytetarët.

“Që të organizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, që shqiptarët të mos kenë frikë nga krimi për të hedhur votën ashtu siç duan është e domosdoshme që të thyhet cikli i drogës dhe krimit. Po si erdhi droga dhe krimi?! Edi Rama në fillim mbushi administratën me kriminelë, solli kriminelët në parlament, i vuri në poste kyçe, i bëri kryetar bashkish. Dhe pasi kriminalizoi strukturën shtetërore e ktheu Shqipërinë në një hambar droge. Hambari i drogës tani prodhon me skllavërimin e mijëra shqiptarëve miliona euro për këta kriminelë dhe për Edi Ramën”-, tha Basha

Basha bëri thirrje për këputje të hallkës midis krimit dhe pushtetit. “Është e qartë se po t’i largohen një nga një figurat kriminale me të cilat menaxhon dhe mban pushtetin, ky është fundi i Edi Ramës. Prandaj nuk e zbaton ligjin e dekriminalizimit. Po të zbatohet ligji për dekriminalizimin, Shqipëria nuk do të mbushej me drogë. Po mbi të gjitha është e qartë dhe ju e keni më të qartë se askush tjetër që krimi në pushtet, droga dhe korrupsioni ka një dhe vetëm një qëllim, t’ju marrin votën, t’ju marrin pushtetin. Dhe pastaj me pushtetin që iu marrin prapë t’ju vjedhin, prapë t’ju venë zabërhanë e kriminelë mbi kokë, që kur të vijë radha, prapë t’ju marrin votën”¬ tha Basha.

Ai tha se realiteti të cilin po përjetojnë sot qytetarët nuk është i rastësishëm, por pasojë e lidhjeve me krimin.

“Pasiguria, varfëria, dhe hashashizimi i Shqipërisë janë pasojat e kriminalizimit të pushtetit dhe korrupsionit galopant, tha ndër të tjera kreu i PD.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *