Basha: Maturantët janë “viktimat” e radhës të pushtetit të korruptuar të Ramës

Kreu i PD, Lulzim Basha deklaroi sot se 18 mijë maturantë me rezultate të shkëlqyera dhe shumë të mira janë në ankth nëse do të vazhdojnë dot studimet, ndërsa Rama vazhdon avazin e gënjeshtrave dhe talljeve nga bordi i një avioni privat. 

Në një reagim për deklaratën e kryeministrit, i cili tha se konkurrenca dhe merita, janë më në fund dhe në transparencë të plotë përpara syvetë maturantëve, Basha deklaron se autori i kaosit dhe pasigurisë së krijuar, ju dhuroi një tjetër mashtrim dhe përqeshje, që në orët e para të mëngjesit

“18 mijë maturantë, mes tyre mijëra me rezultate shumë të mira dhe të shkëlqyera, vazhdojnë të jenë në ankthin e pritjes nëse do të arrijnë të ndjekin studimet sipas meritës dhe preferencës. Ata dhe prindërit e tyre që kanë sakrifikuar gjithçka për shkollimin e tyre nuk kanë asnjë përgjigje pse nuk janë vlerësuar rezultatet e shkëlqyera të fëmijëve të tyre. E ndërsa prisnin zgjidhje, autori i kaosit dhe pasigurisë së krijuar, ju dhuroi një tjetër mashtrim dhe përqeshje, që në orët e para të mëngjesit. Nga bordi i një avioni privat, i shkëputur totalisht nga realiteti, Rama vazhdoi avazin e gënjeshtrave dhe talljeve me ëndrrat e mijëra të rinjve të cilëve ju ka vjedhur të ardhmen me aferat korruptive që fshihen pas pseudoreformës në arsim”, thekson Basha.

Ai tha se maturantët janë viktimat e radhës së pushtetit të korruptuar të Ramës.

“Për Ramën vlejnë vetëm milionat korruptive që fut në xhepat e tij dhe miqve të tij. Maturantët janë “viktimat” e radhës të pushtetit të tij të korruptuar. Transparencë, Meritë-Preferencë dhe mbështetje buxhetore, këtë meritojnë dhe këtë do të kenë të rinjtë shqiptarë pas shfuqizimit të pseudoreformës Rama. #Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, shkruan Basha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *