Korrupsioni me uniformat e policisë, dyshohet se janë prodhuar në Shqipëri dhe jo në Turqi

Prokuroria e Tiranës do të bëjë sekuestrimin e llogarisë bankare të kompanisë “Marsi-&AL”, e cila ishte fituese e tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit.

Kjo gjë do të bëhet pasi dyshohet se kompania në fjalë, përveç veprës penale të mashtrimit, mund të ketë kryer edhe atë të falsifikimit të dokumenteve.

Mësohet se nga hetimet paraprake ka rezultuar se kjo kompani ka përfituar një shumë të konsiderueshme parash si detyrim për prodhimin e uniformave, dhe pikërisht për këtë gjë është vendosur edhe bllokimi i llogarisë bankare.

Nga hetimet e deritanishme nuk ka rezultuar ndonjë shkresë ose provë nga dogana që fakton hyrjen e uniformave në Shqipëri, duke qenë se uniformat do të prodhoheshin në Turqi.

Analizat laboratorike kanë treguar se më shumë se 10 objekte të ndryshme që i përkasin uniformës së Policisë së Shtetit, nuk janë në parametrat e kërkuar sipas specifikimeve teknike të tenderit dhe në përputhje me kontratën e firmosur. Ndër materialet që nuk kanë qenë në përputhje me specifikimet e kontratës është objekti ‘Bluzë pambuku me 2 kopsa për Policinë Rrugore’, e cila është testuar në përdorim, nga ku ka rezultuar me humbje të ngjyrës (pjesa e verdhë) deri në 70% të saj”, sqaron më tej policia, e cila thekson se nuk i ka bërë asnjë pagesë kompanisë në fjalë, por e ka kallëzuar atë në prokurori për akuzën “Shpërdorim i kompetencave” raporton Gazeta Shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *