OSHEE miliona euro tendera per miqtë e Çelës

Nga Boldnews.al

Edhe pse korriku dhe gushti konsiderohen si muaj pushimesh, për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është momenti më i përshtatshëm për të kryer tendera miliona euroshe.

Në mes të vapës dhe ku administrata shtetërore pothuajse punon me gjysëm kapacitet, OSHEE shpall tendera duke tentuar të favorizojë oligarkët që qëndrojnë pranë qeverisë.

Nga një hulumtim i Boldnews.al rezultojnë se vetëm për muajin korrik janë plot 6 tendera me një vlerë totale prej 4.2 miliard lekësh. Ndërkohë për muajin gusht, ku tendenca e institucioneve është që të abuzojnë më tepër, OSHEE ka hapur 6 tendera të tjerë po me një vlerë më të madhe, rreth 6 miliard lekësh.

Tenderat kanë të bëjnë kryesisht me blerjen e paisje-vegla pune me qëllim kryerjen e remonteve të planifikuara, ndërtim të kabinave elektrike, investim në rrjetet elektrike, rikonstruksion të linjave kabllore dhe blerje kabulli, blerje matësash si dhe blerjen e dy pirunave-vinç.

Tenderi më i madh është hapur në muajin gusht dhe kap një vlerë prej 3.2 miliard lekësh për ndërtimin e rrjetit elektrik në Shkozet të qarkut Durrës. Punimet parashikohen të mbyllen brenda 4 muajve ndërsa afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit është 3 gusht 2016. Hije dyshimi ngrihen mbi këtë tender, duke marrë parasysh faktin se Administratori i OSHEE, Ardian Çela, më herët ka mbajtur postin e Nën/kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe njëherësh kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Oferatave në këtë institucion. Ai është paditur në Prokurori nga KLSH, për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tendera dhe ankande publike.

Kjo tendencë për të dhënë tendera në muajt e verës ripërsëritet çdo vit, ndërkohë që rezulton se shkeljet më të mëdha janë bërë pikërisht në këtë periudhë kohe.

Kjo nuk është hera e parë për këtë vit që institucionet shfrytëzojnë vakumin e pushimeve të muajit gusht për të kryer tendera të dyshimtë. Më herët edhe Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), miratoi një sërë projektesh ndërtimi, ku më skandalozi është ai mbi këndin e lojërave “7-xhuxhat” dhe ku pritet të ngrihet një kullë betoni prej 30 katesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *