Maqedonia mban zi për viktimat e stuhisë që goditi kryeqytetin e vendit dy net më parë, duke lënë të paktën 22 persona të vdekur dhe mbi 70 të tjerë të plagosur.
Qeveria maqedonase e ka shpallur këtë të hënë ditë zie kombëtare. Flamujt janë ulur në gjysmështizë dhe të gjitha ngjarjet sportive janë anuluar.
Autoritetet thonë se policia dhe ekipet ushtarake janë ende në kërkim në rajonet veriore të Shkupit, për të gjetur trupat e 6 personave që rezultojnë ende të zhdukur. Sipas burimeve zyrtare citojnë mediat maqedonase kërkimet janë përqendruar në bodrumet e shtëpive të përmbytura.
Të dielën, qeveria shpalli 15 dite gjendjen e emergjencës në zonat e goditura më keq nga përmbytjet. Presidenti maqedonas, Ivanov vizitoi vendin e prekur nga përmbytjet, duke thënë se një fatkeqësi e tillë nuk kishte ndodhur kurrë më parë në Shkup.
Bashkimi Europian ka ofruar ndihma për Maqedoninë, sikurse edhe fqinjët përfshirë vendi tonë, Kosova, Serbia ,Bullgaria dhe Greqia.
Tashmë që niveli i ujit ka rënë, mund të shihen dhe përmasat e kësaj katastrofe natyrore e cila u thellua nga mungesa e kanalizimeve dhe infrastruktura e dobët veçanërisht në fshatrat Hasanbeg, Smilkovc, Stajkovcë e Haraçinë.
Ndonëse dëmet duken të mëdha me shtëpi, rrugë e automjete të shkatërruara, ende nuk ka një bilanc të pasojave të përmbytjeve, i cili pritet të dalë në fund të gjendjes së emergjencës.
Shumë prej banorëve në zonat e përmbytura janë zgjuar mes kaosit,trishtimit dhe dhembjes.
Ndërkohë në Maqedoni meteorologët thonë se shirat do të vijojnë, por intensiteti i tij pritet te jete me i ulet.
Të paktën 22 persona mes tyre 10 shqiptare kanë humbur jetën pas vërshimeve që goditën Shkupin dhe pjesën veriperëndimore të Maqedonisë, mes tyre shumë shqiptarë. Të gjithë viktimat janë identifikuar mes tyre është një fëmijë dy vjeç dhe një 8 vjeçar.