Mediat italiane kanë zbardhur një material të policisë për imamin shqiptar Bledar Ibrahimi, që dyshohet se ka financuar terrorizmin dhe se ka rekrutuar të rinj për xhihad në Siri.
Bledar Ibrahimi ka emigruar drejt shtetit italian në moshën 20-vjeçare. Ai u vendos në qytezën Poxo të Bergamos. Aty Ibrahimi nisi të merret me aktivitet të jashtëligjshëm dhe të lidhte kontakte me ISIS. Ai hoqi dorë nga kombësia shqiptare, për t’iu bashkuar organizatës IS.
Ibrahimi, në një postim në “Facebook” më 14 korrik 2014 shkruante: “Siria dhe Iraku janë për të gjithë myslimanët. I lutem Allahut të mbrojë Kalifatin”, ishte postimi i tij.
Ai së bashku me shqiptarin tjetër Elvis Elezi kanë qenë më 2014 në Siri dhe prej andej janë kthyer sërish në Itali. Elezi u arrestua nga policia italiane në Breshia, në kohën që Ibrahimi mblidhte para për ISIS.
Bledar Ibrahimi është dëbuar nga Italia më 3 mars të 2016 me akuzën e përkrahjes së propagandës terroriste të ISIS në Itali. Mediat italiane shkruajnë se Ibrahimi madje kishte edhe diplomë universitare nga Universiteti i Kajros, ku me sa duket kishte marrë idetë radikale.