DOKUMENTET/ Rama i jep zv/presidentit të Top Channel koncensionin e naftës në Fier

Më 27 Korrik 2016, kryeministri Edi Rama firmosi një vendim, që i jepte një kompanie të quajtur ‘Recovered Earth Albania’ 5.7 hektarë truall në Kasnicë të Patosit, me çmim 1 euro.

Trualli ishte pronë e shoqërisë ‘Albpetrol’, por Ministria e Ekonomisë, e shkëputi nga Albpetroli dhe trualli i kaloi kompanisë private.

Për të mësuar më tepër në lidhje me këtë vendim, HashtagAL ju drejtua zyrtarisht Ministrisë së Ekonomisë duke i drejtuar disa pyetje në lidhje me natyrën e projektit dhe shfrytëzimin që do realizohej.

Ministria tha zyrtarisht se kompania ‘Recovered Earth Albania’ është një firmë amerikane, e cila do të investonte rreth 35 milionë dollarë deri në vitin 2018. Sipas ministrisë, kjo kompani amerikane, zotëronte një teknologji të përparuar, nëpërmjet së cilës mundësonte prodhimin e karburanteve duke përdorur rërën bituminoze si lëndë të parë.

vendimi-i-qeverise-per-recovered-earth-albania

Ministria tha se nga aktiviteti i kompanisë do të punësoheshin disa qindra persona dhe se kompania amerikane kishte ndërkohë një impiant të ngjashëm të përpunimit të naftës bruto në Kentucky të SHBA-ve.

Nga një verifikim elementar, rezulton se kompania që zhvillon këtë aktivitet në Kentucky të Shteteve të Bashkuara të Amerikës quhet ‘Recovered Earth Technologies’. Kjo kompani ka një emër të ngjashëm me firmën që ka fituar kontratën me qeverinë shqiptare, e cila quhet ‘Recovered Earth Albania’.

Por kompania e regjistruar në Tiranë, nuk rezulton të ketë ndonjë lidhje me kompaninë amerikane.

Pronësia e ‘Recovered Earth Albania’ është e tre individëve të përveçëm dhe asnjë kompani e huaj nuk posedon aksione në ‘Recovered Earth Albania’.

Aksionarët e ‘Recovered Earth Albania’ janë si më poshtë:
Michael James Mills – 50 % të aksioneve.
Theodor Laçi – 30% të aksioneve
Erion Ylli – 20% të aksioneve.
FAximile-ndarja-e-aksioneve-ne-Recovered-earth-albania-me-logo

Nga verifikimi i ekstraktit zyrtar të kompanisë që ka fituar koncensionin, nuk rezulton asnjë gjurmë apo pronësi e kompanisë amerikane ‘Recovered Earth Technologies’.

Nga ana tjetër, kompania amerikane të cilën ministria e referon si ‘kompani me përvojë’ rezulton se ka pasur bashkëpunim me koncensionarin ‘Bankers Petroleum’ që operon në Patos-Marinzë dhe i ka shitur teknologji këtij koncensionari në të kaluarën.

Kompania ‘Recovered Earth Albania’ së cilës qeveria i dha koncensionin, është themeluar në Janar-2016, pra është kompani që ekziston prej 8 muajsh, ndërsa tre aksionarët e saj, kanë aksione nominale në emrin e tyre dhe nuk përfaqësojnë zyrtarisht asnjë kompani të huaj.

Mes listës së aksionarëve bie në sy emri i z.Erion Ylli, posedues i 20% të aksioneve. z.Erion Ylli është njëkohësisht dhe Zv/President i televizionit kombëtar Top –Channel.
/ Marrë nga Hashtag

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *