Rama lakuriq dhe rrobaqepësit e tij

Nga Fatos Lubonja

Më lakuriq se kaq nuk mund të ketë: paguan tjetri 80 000 dollarë për të bërë një foto me Obamën, që pastaj t’ua nxjerrë shqiptarëve për t’i manipuluar. Kjo është kulmi. Nuk po merrem me atë se ku e si i gjeti të hollat, as me shkeljen e ligjit shqiptar dhe amerikan. Edhe pse të rënda, shumë të rënda, këto mbeten dytësore përpara imoralitetit të kësaj ideje. Qoftë edhe si mendim, e jo më e vënë në jetë, ajo është shumë e turpshme. Të vjen turp që ke njerëz me moral të tillë në krye, që jo vetëm, por shiten nëpër botë edhe si artistë emancipues të popullit të tyre; turp për popullin që trajtohet si debil, turp për ata që e mbajnë për lider apo mik një njeri të tillë, turp për ata ndërkombëtarë që vazhdojnë ta mbështesin. Sikur t’i referohemi asaj përrallës me mbretin lakuriq, mund të thuhet se ky është momenti kur mbretin e shohin të gjithë që është lakuriq. Por, a ju kujtohet se si është përralla? Mbreti kërkonte një kostum, më të bukurin e mundshëm; shkoi në disa rrobaqepës dhe ata, që të merrnin para qyl, ia mbushën mendjen për kostumin prej ajri, se ai ishte më i bukuri. Dhe kështu mbreti dilte lakuriq, duke menduar se kishte veshur kostumin më të bukur dhe kërkush nuk ia thoshte të vërtetën sepse kishte frikë. Derisa të vërtetën ia tha një fëmijë. Dhe mbreti, sapo e mori vesh, e falënderoi fëmijën dhe veshi një kostum.

Morali i përrallës është i shumëfishtë: godet mashtruesit, indiferentët e frikacakët, por çmon edhe vërtethënësit. Duhet ta thuash të vërtetën, të mos kesh frikë. Sepse, e vërteta lind ndryshimin. Sepse “më mirë një e vërtetë e vogël sesa një gënjeshtër e madhe”, thoshte Leonardo da Vinçi; sepse “e vërteta është gjithmonë revolucionare”, thoshte Antonio Gramshi.

Duke u nisur nga kjo fuqi e së vërtetës ka vende ku sunduesit përdorin policinë edhe burgjet për ta fshehur atë. Ka vende ku përdoren vrasjet të atyre që dinë të vërteta djegëse. Ka shumë gazetarë që kanë rënë viktima kështu.

Por, të dashur lexues, këta nuk janë rasti i vendit tonë, harrojeni! Edhe ajo përralla me mbretin lakuriq që dëgjoi një fëmijë dhe veshi kostum nuk është rast i kryeministrit tonë. Vërtet e kemi përdorur metaforikisht edhe ne, ndonjëherë, kur ka plasur ndonjë skandal i madh, duke thënë: “kësaj here mbreti doli lakuriq, kësaj here do të bëhet nami”. Por, a ju kujtohet të ketë ndodhur ndonjë gjë? Asgjë. Prandaj qetësohuni. Ne kemi më për zemër atë shprehjen: “Skandali më i madh zgjat tre ditë”. Po pse? Sepse ne jemi degjeneruar aq keq sa jemi kthyer në një shoqëri, ku e vërteta nuk ka pikë vlere. Te ne njerëzit, duke filluar që nga kryeministri, nderojnë ditë e natë zotin e gënjeshtrës, mashtrimit dhe manipulimit që u sjell para. Po nuk bënë nga një mashtrim e manipulim në ditë ata nuk i zë gjumi, sepse s’kanë futur gjë në xhep atë ditë. Te ne Leonardos i thuhet: më mirë një gënjeshtër, sado e vogël qoftë, sesa një e vërtetë, sado e madhe qoftë. Le më pastaj sikur gënjeshtra të jetë e madhe, atëherë është feja vetë. Edhe kur zbulohet ndonjë e vërtetë që këlthet me poshtërsinë e saj, mos prisni që dikush ta pranojë e të thotë se ka gabuar, aq më pak kryeministrin. A e keni dëgjuar atë fjalimin e famshëm të Kenedit, ku flet për hapjen që duhet të ketë administrata e tij ndaj kritikave të shtypit? Ndër të tjera citon një të urtë që thotë: “Një gabim bëhet faj në momentin kur ju refuzoni ta korrigjoni atë”. E pra, vetëm kjo s’mund të ndodhë në Shqipëri. Ne gabimet i bëjmë faje dhe fajet i bëjmë krime sepse të keqen e gjejmë gjithmonë tek ata që na thonë të vërtetat. Prandaj, Kryeministri ynë nxitoi të krijojë faqen e vet të informimit për të përgënjeshtruar kritikat.

Kryeministri ynë bredh lakuriq, pa i bërë syri tërr sepse ai ka një ndryshim të madh nga mbreti i përrallës. Ai e di shumë mirë se është lakuriq, por di gjithashtu se në vendin tonë njerëzit që vlerësohen më shumë janë birat e kurvës, rrobaqepësit mashtrues, që “qepin” kostume prej ajri dhe marrin lekë qyl për këtë. Prandaj dhe ai e ka gjetur zgjidhjen: bën edhe mbretin lakuriq edhe rrobaqepësin e kostumeve të veta. Sigurisht kostumexhiu ynë nuk punon vetëm. Ai ka ngritur një sistem të tërë kombëtar dhe ndërkombëtar rrobaqepësish që punojnë natë e ditë për t’i shtuar zbukurimet kostumeve të tij, që ai të duket gjithmonë i freskët me kostume kollare dhe këpucë gjithmonë të reja fringo. Duhet ta dini se 80 000 dollarët janë vetëm maja e ajsbergut të shifrës që harxhohet për këtë, thjesht sa për një fotografi, imagjinoni.

Rrobaqepësitë që kanë pasur xhiron dhe suksesin më të madh janë ato që kanë punuar për tregun e huaj. Në fakt, në përgjithësi këto rrobaqepësi aplikojnë fasonerinë: rrobat dizenjohen e qepen Tiranë me stilistë e rrobaqepës shqiptarë nën mbikëqyrjen personale të kryerrobaqepësit, por për rifiniturën punojnë të huajt. Edhe marka është ndërkombëtare, madje zgjidhet që të jetë sa më e njohur pasi shqiptarët kanë një dobësi të veçantë për markat e njohura. Vetëm të jetë markë, por edhe fallco e pranojnë.

A ju kujtohet çfarë na tha kur befas na çuditë të gjithëve se do të prishte Stadiumin Qemal Stafa? Ne stadiumin e donim tjetërkund- tha- por francezët na thanë se stadiumin e keni mirë këtu ku e keni. Në stadiumin e ri e donim pa kullë, por ishte arkitekti italian (Casamonti) që na tha se duhet me kullë. Dhe çfarë vlejmë ne përpara arkitektëve francezë, italianë, gjermanë, belgë? Mbyllni pra gojën. Hani supën e huaj të gatuar në kuzhinën time dhe krenohuni me bukurinë e kullave që po ju marrin frymën, se unë me oligarkët që morën paratë do të shkojmë të banojmë në ajër të pastër në kodrat rreth Tiranës. Por për kullat tuaja mos harroni se kanë shkruar e do të shkruajnë gazetat më falni rrobaqepësitë e tërë botës dhe për këtë duhet të jeni krenarë.

Të njëjtin stil mashtrimi përdori edhe për draftin e Reformës në Drejtësi. “Merruni vesh me Amerikën dhe me Evropën”, thoshte lakuriqi. Shkruajeni si të doni; unë e firmos pa problem po ua pranoi Amerika dhe Evropa. Me një fjalë janë të huajt që e kanë qepur kështu draftin jo unë, kur në fakt ishte i qepur e shqepur e qepur e shqepur i gjithi në Tiranë sipas shijeve e synimeve të tij. Por markën ama ishte mirë ta kishte Made in USA, Made in Europe, ose Lu&Vllahutin. Se shqiptarët kështu e hanë. A i patë rrobaqepësit e kryeministrit se si ulërinin: Zgjidhni, o me Amerikën, o me Berishën! Tani edhe pse humbës, sepse pati ca të huaj që nuk pranuan të punojnë si rrobaqepës të kryeministrit, edhe pse vetëm me konsensus nuk e donte, po e trumbeton si fitore. Or kostumi i ri është në qepje e sipër, prisni dhe pak.

Ndërkaq, për ta mbyllur atje ku e nisëm, a keni parë ndonjë nga gazetarët rrobaqepës t’i drejtojë një herë të vetme një pyetje se si është kjo puna e 80 000 dollarë vepër një foto me Obamën? Po Lu-në a e keni parë ndonjë herë të thotë se cili është qëndrimi i Ambasadës Amerikane për këtë lajm të turpshëm për të cilin po flet përditë shtypi amerikan?

Por prisni, do ta merrni përgjigjen. Deviza e kryeministrit është: nuk ka mjet më efikas për të mbuluar zbulimin e një gënjeshtre dhe mashtrimi, sesa një gënjeshtër dhe mashtrim edhe më i madh me rrobaqepës edhe më të njohur brenda dhe jashtë vendit. Prisni kur të dalë vetë shtypi amerikan një ditë me lajmin e bujshëm se ai që ishte në fotografi me Obamën nuk ishte Edi Rama i vërtetë, por një sozi e tij i paguar nga opozita shqiptare për të diskredituar Kryeministrin.

Marrë nga Gazeta Panorama

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *