Basha për Ramën: Ç’është ky njeri që sëmuret nga konsensusi!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sot në lidhje me një deklaratë të një dite më parë të Kryeministrit Edi Rama, për të cilin thotë se kërkon armiqësi të reja menjëherë pas konsensusit.
“Nuk kaloi shumë nga marrëveshja historike në parlament për Reformën në Drejtësi, dhe Edi Rama shfaqet tërë entuziazëm sikur ka zbuluar një vatër të re konflikti. Ç’është ky njeri që e zë konsensusi? Që e sëmur rënia dakord me opozitën për interesat e mëdha të vendit dhe vrapon të shpikë armiqësi te reja? Kontrata më e madhe nën të cilën jemi, është Kushtetuta. Kushtetuta ka përcaktuar afate për kalimin e ligjeve. Dhe asgjë e drejtë e në emër të drejtësisë, s’mund të bëhet duke shkelur Kushtetutën.
Ekspertët e opozitës janë në punë çdo orë të ditës dhe po shqyrtojnë edhe ligjin e “Vetingu”-t që ka mbërritur afër mesnatës, dy ditë më parë. I gjithë procesi ka tashmë një lider, të konfirmuar, të pakontestuar, të gjithëpushtetshëm. Ky lider nuk është as Edi Rama, as Lulzim Basha, e aq më pak Fatmir Xhafaj. Por është konsensusi”, shprehet Basha.

Ai thekson se konsensusi është rruga ku do të kalojnë ligjet. “Opozita s’ka asnjë minutë kohë për të harxhuar me debate shterpë e as ti përgjigjet llogoreve të reja që gërmon Edi Rama. Punë dhe rezultate, ky është angazhimi ynë. Nuk kemi asnjë minutë kohë, sepse teksa shfaqet si komentator drejtësie, çka në të vërtetë nuk është, se nuk ia ka haberin fare, kërkon të fshehë plojën e madhe të vendit, të zhytur në mjerim, papunësi e mungesë shprese”, thotë Basha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *