Në përfundim të mbledhjes së Komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi, kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili deklaroi se LSI do të votojë pro Reformës në Drejtësi.
Vasili pohoi se Kreu i Kuvendit Meta ka patur një bisedë të gjatë telefonike me Komisionerin për zgjerim Johannes Hahn, ku u bashkënda përpjekja për realizimin e konsensusit.
Në mbledhjen e komisionit të posaçëm për reformën, tha Vasili, u përfunduan të gjitha procedurat që e bëjnë Kuvendin gati për seancën e 21 Korrikut.
“U përfunduan procedurat që na bëjnë gati për seancën e 21 korrikut. Ky është një moment politik për të rikonfirmuar qëndrimet tona. Ju rikonfirmoj edhe njëherë atë që e kam bërë të qartë që grupi i LSI do të votojë pro draftit të ndryshimeve kushtetuese të përgatitura dhe të miratuara në komision. Në funksion të angazhimit maksimal edhe të kryetarit të Kuvendit, ka patur një bisedë të tij me zotit Hahn, ku është folur për konsensusin, tepër i rëndësishëm për këtë reformë, që garanton stabilitetin e vendit. Të gjithë e dinë, ne edhe partnerët, rolin e Shqipërisë në rajon. Orët që po vijnë po formësojnë, po shkojmë në një rrugë pozitive që formëson konsensualitetin e mirëpritur për reformën”, deklaroi Vasili.