Pas takimit me kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm, kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi doli në një deklaratë për mediat. Reforma në drejtësi ka qenë tema kryesore e bisedës, ndërkohë që pritet votimi i saj në seancën e së enjtes, më 21 korrik. Idrizi tha se shpreson se reforma ne drejtësi do të arrijë në një konsesus në rast të kundërt le ta vendosë populli me referendum.
“Në fokus të takimit me Ramën reforma në drejtësi. Mbetem besimplotë se do të gjendet kompromisi për reformën. Tre ekspertët do ta gjejnë kompromisin e nevojshëm. Shumë mirë që liderët shqiptarë të takohen dhe të gjejnë një kompromis. Kjo tryezë liderësh ka prodhuar një tryezë ekspertësh, dhe besoj se do te arrihet kompromisi dhe të enjten t’i jepet shqiptarëve ajo gjë e çmuar, që është reforma në drejtësi. Ne jemi fokusuar në dy ditët e mbetura që të gjendet rruga për të realizuar reformën në drejtësi. Tashmë po kërkohet kompromisi për nenin 88. Në rast se forcat politike nuk e gjejnë kompromisin për këtë pikë, ne jemi që t’i drejtohemi popullit për referendum”, tha deputeti Idrizi.