Komisioni i Posaçëm për reformën në drejtësi gjatë mbledhjes së sotme ka shfuqizuar edhe nenin që i hapte rrugë legalizimit të martesave gay, një prej ndryshimeve në draftin kushtetues që do të votohet të enjten më 21 korrik në seancën plenare. Këtë e kanë konfirmuar edhe Fatmir Xhafaj dhe Petrit Vasili por pa komentet të shumta.
Ndërkohë pas përfundimit të mbledhjes së sotme të komisionit të posaçëm, deputetja e PDIU-së Mesila Doda ka komentuar vendimin, si një lajm i mirë që u arrit bashkërisht me këmbënguljen e deputetëve pro familjes natyrale.
“Lajm i mirë. Me kërkesën e PDIU dhe këmbënguljen tone pa kompromis, sot u shfuqizua nga Komisioni i Posaçëm i Reformës ndryshimi Kushtetues që i hapte rrugën legalizimit të martesave gay. Kjo do të thotë se së bashku arritëm të ndalonim një ndryshim që mund të sillte një strukturë tjetër sociale, larg modelit të familjes natyrale e tradicionale. Falënderoj me këtë rast gjithë kolegët tanë deputetë që u bashkuan në kauzën Pro Familjes Natyrale, krerët e religjioneve dhe besimtaret, familjaret, të rinjtë e të rejat që konsiderojnë modelin tonë familjar atë burrë-grua dhe që përkrahën këtë vizion të shëndetshëm të shoqërisë sonë”, shkruan Doda në facebook.