Armeni, pengje brenda komisariatit të policisë. Kërkohet lirimi i kreut të opozitës

Armeni, pengje brenda komisariatit të policisë. Kërkohet lirimi i kreut të opozitës
Një grup personash të armatosur mësynë sot një komisariat policie në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, ku morën peng disa vetë e kërkuan në këmbim lirimin e të burgosurve politikë, përfshirë këtu kreun e opozitës, Jirair Sefilian.

Grupi u bëri thirrje armenëve të dalin në rrugë në mbështetje të tij. Udhëheqësi i burgosur opozitar është një kritik i ashpër i Presidentit Serge Sarkisian, si dhe mënyrës sesi ky i fundit e menaxhoi konfliktin në rajonin e Nagorni-Karabakut.

Ka raporte për disa të lënduar nga ky sulm. Gazeta vendase “CivilNet” flet për 7 policë të marrë peng, por ky informacion i saj nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur. Anëtarët e grupit të identifikuar si “Guximtarët e Sasunit” citohen të kenë paralajmëruar se do të hakmerren nëse sulmohen, e thonë se nuk e kanë ndërmend dorëzimin.

Nagorni-Karabaku ndodhet në Azerbajxhan, por shumica e popullsisë së tij përbëhet nga armenë etnikë. Një luftë e përgjakshme shpërtheu atje pas fundit të sundimit sovjetik në vitin 1988, e trazirat vazhdimisht të përsëritura shpërthyen përsëri në muajin prill, me përleshje që shkaktuan dhjetëra të vdekur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *