Roskovec, 8-vjeçari vret aksidentalisht babain në pyll dhe iu thotë familjarëve: E hëngri ujku

Një 35-vjeçar ka humbur jetën pasi është qëlluar aksidentalisht nga djali i tij 8-vjeçar. Ngjarja tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Vlosh të Roskovecit, ku ka mbetur fillimisht i plagosur dhe më pas ka humbur jetën në spital shtetasi Karafil Rrapushi, banor i këtij fshati.

35-vjeçari sipas policisë është qëlluar nga i biri i tij 8-vjeçar me armë gjahu ndërsa ndodheshin në pyllin e fshatit. Por pasi ka shkrepur armën aksidentalisht, fëmija ka shkuar në shtëpi dhe iu ka dhënë familjarëve se i kishte sulmuar ujku.

“Rreth orës 12:15, jemi njoftuar se në pyllin e fshatit Vlosh, Roskovec, Fier, ujku kishte ngrënë një person, i cili me pas kishte gjetur vdekjen. Menjëherë me marrjen e njoftimit është formuar grupi hetimor dhe ka filluar kryerja e veprimeve procedurale në pyllin e fshatit Vlosh, nga ku ka rezultuar se ka gjetur vdekjen shtetasi Karafil Rrapushi. Ky person ka gjetur vdekjen për arsye se është qëlluar me armë gjahu teke nga djali i tij 8-vjevcar shtetasi F. Rr.”, njofton Policia e Fierit.

Nga hetime e deritanishme rezulton se 35-­vjeçari bashkë me djalin e tij, 8 vjeç, kishin shkuar në pyll për të mbledhur bimë mjekësore.

Por, ndërsa Rrapushi ka lënë armën e gjahut në tokë, djali i tij e ka shkrepur aksidentalisht duke qëlluar të atin në kraharor.

Pas këtij veprimi, djali i mitur fillimisht nuk u ka treguar të vërtetën familjarëve, duke pretenduar se i kishte sulmuar ujku. Më pas në prani të psikologut, ai ka pranuar të vërtetën.

“Me fëmijën e mitur po kryhen veprimet në prezencë të psikologut dhe avokatit”, përfundon komunikata e policisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here