Gjykata: Farmacitë të largohen nga spitalet, ambulancat e poliklinikat

Vendimi i gjykatës së Apelit Administrativ për zhvendosjen e farmacive nga poliklinikat, ambulancat apo spitalet është dhënë dje duke rrëzuar padinë e ngritur nga Urdhri i Farmacistit ndaj Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Kështu, të gjithë ata që kanë farmacitë e tyre ngjitur me poliklinikat, ambulancat apo spitalet duhet të nisin menjëherë zhvendosjen e tyre.

Vendimi përfundimtar i trupës gjykuese është shpallur dje pas përfundimit të procesit gjyqësor që nisi më 8 prill 2016, kur Urdhri i Farmacistit të Shqipërisë kërkoi rishikimin e vendimit të Këshillit Administrativ të FSDKSH-së nr. 71, datë 22.12.2015, “Për kriteret që duhet të plotësojnë farmacitë dhe agjencitë farmaceutike për lidhjen e kontratës me Fondin dhe procedurat për lidhjen e kontratës për vitin 2016” dhe shfuqizimin e disa pikave në përmbajtjen e tij.

Në padinë e vet, UFSH-ja kundërshtonte kriteret e parashikuara në pikat 10, 13, 14, 15, 19 dhe 20 të kreut I, të këtij Vendimi, të cilat kishin të bënin, mes të tjerash, me distancën jo më pak se 20 metra që farmacitë duhet të kenë nga kufiri i jashtëm i institucionit shëndetësor publik si dhe kriterin që parashikonte zgjidhjen e kontratës se Fondit me farmacitë dhe agjencitë farmaceutike, të cilat janë në hetim nga organi i akuzës deri në përfundimin e plotë të hetimeve.

Më herët, me qëllim sqarimin e pretendimeve të ngritura nga UFSH-ja, Fondi realizoi një tryezë të përbashkët mes përfaqësuesve më të lartë të të dy institucioneve, ku përfaqësuesit e UFSH-së vendosën që ta dërgonin papritur çështjen në gjykatë, ndonëse ishin ende duke negociuar me Fondin.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here