“IMSI Catcher” në Seman, dëshmitë e policëve: Italianët na përzunë 40 minuta nga makina

Prokuroria e kryeqytetit i ka thelluar hetimet në lidhje me pajisjen përgjuese “IMSI¬Catcher”, e cila dyshohet se mund të ketë përgjuar në mënyrë të paligjshme.

Grupi i hetimit ka marrë në pyetje pesë efektivët e Policisë së Shtetit që kanë qenë pjesë e trajnimit për të cilin pretendohet se pajisja është sjellë në Shqipëri. Ditën e djeshme, “Panorama” publikoi faktin se pajisja e përgjimit është çuar në zonën ku ishte raportuar për fluturimin e një avioni të vogël në Seman. Një ditë pas publikimit të këtij fakti, burime të hetimit kanë thënë se të pranishëm në ditën e dërgimit të pajisjes në zonën e Semanit kanë qenë efektivë të Policë shqiptare dhe disa punonjës të Interforcës. Dërgimi i pajisjes në zonën e Semanit është pohuar nga efektivë të Policisë shqiptare që janë pyetur si persona me dijeni për çështjen e “IMSI¬Catcher”

Efektivët kanë thënë se në një nga ditët kur është raportuar për avionë me drogë në zonën e Semanit, makina me pajisjen përgjuese është çuar në atë zonë. Pasi pajisja është dërguar atje dhe është vendosur në punë, mësohet se efektivët e Policisë italiane u kanë kërkuar policëve shqiptarë të dalin nga makina për rreth 40 minuta. Më pas grupi është kthyer në Tiranë.

Më 21 -¬22 maj 2016, disa qytetarë denoncuan se kishin parë avionë të vegjël sportivë në zonën e Semanit. Raportimet u shoqëruan edhe me disa foto të avionëve për të cilët u tha se ishin ulur në zonën e Semanit. Pikërisht në këtë kohë mësohet se pajisja përgjuese është dërguar në Seman në prani të efektivëve të Policisë shqiptare dhe atyre të Policisë italiane.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me pajisjen, pas informacioneve të marra nga strukturat e sigurisë kombëtare. Pas nisjes së hetimit, organi i akuzës kërkoi sekuestrimin e pajisjes me qëllim këqyrjen e saj nëse ishin bërë përgjime.

OPGj të Prokurorisë Tiranë shkuan në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në datën 13.05.2016, midis orës 11:45 dhe 12:00 (shoqëruar edhe me foto).

Hetuesit kanë kërkuar sekuestrimin e pajisjes, por në orën 12:10, nga këqyrja e librit të hyrje¬daljeve në ambientet e FPO, ka rezultuar se automjeti që mbarte pajisjen ka dalë nga aty në drejtimin e shtetasit shqiptar Entiol Xhelilaj.

“Pra ky veprim është kryer rreth 10 minuta pasi OPGj¬të ishin paraqitur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë me vendimin për sekuestrimin e kësaj pajisjeje. Nga krahasimi i periudhës para datës 12.05.2016 dhe pas kësaj date, është e qartë se për anëtarët e Policisë së Shtetit dhe pjesëtarët e grupit trajnues ka ndodhur diçka thelbësore pasi automjeti në periudhën para kësaj date rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambienteve të FPO dhe pas kësaj date, ka dalë për të mos u kthyer më. Ka dyshime që hapësira kohore prej gjysmë ore ka shërbyer për të bërë të pamundur sekuestrimin e aparatit”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e Haki Çakos, tashmë i kthyer në detyrë nga Gjykata e Apelit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *