Reagime në Greqi për ministrin duhanpirës

Komente dhe reagime aspak pozitive shoqërojnë në rrjetet sociale orët e fundit fotografinë e ministrit grek plotësues të Shëndetësisë Pavlos Polakis, i cili pi cigare në sallën e mbledhjeve të ministrisë që ai drejton.

Kritikat e para më të ashpra kanë ardhur nga radhët e deputetëve të opozitës. Zëdhënësi i “Demokracisë së Re”, Jorgos Koumoutsakos, shkruan në Twitter se “Helbete është ministër dhe bën çfarë i “tymos truri”, ndërsa një deputet tjetër konservator komenton: “Ky njeri është i ngarkuar me zbatimin e ligjit kundër duhanit. Në çfarë vendi do të mund të qëndronte në këtë post!!!!”

Fotografitë e ministrit në fjalë publikohen në Ditën Ndërkombëtare kundër Duhanit, kur organizata greke kundër kancerit i ka bërë përsëri thirrje qeverise të zbatojë ligjin e ndalimit të duhanit në ambientet publike, madje duke kërkuar zbatimin e tij edhe në vendet e hapura ku luajnë fëmijët për të ruajtur shëndetin e tyre.

Përveç të tjerave, në mesazhin e kësaj organizate drejtuar duhanpirësve thuhet se nëse një person që pi duhan do të vendoste në një arkë kursimi prej moshës 18-vjeçare paratë që shpenzon për cigare, do të mund të kishte në pleqëri një pension shtesë prej 760 eurosh si dhe shumë vite jetesë cilësore më tepër.

Në rastin e ministrit duhanpirës nuk kanë munguar edhe zërat që kërkojnë dorëheqjen e tij. Por është fakt se të gjitha qeveritë greke që në vitet e fundit kanë votuar ligjin kundër duhanit në ambientet publike, nuk e kanë zbatuar atë plotësisht, sidomos në klube e restorante.

Greqia është një nga vendet e fundit qe përmbushin direktiven europiane per duhanpirjen dhe per disa jave pritet te dalin ne treg paketat e reja te cigareve qe do te kene imazhe te tmerrshme me semundjet te cilat shkakton duhani./ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *