Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ndërmori sot një inspektim në markatën e mishit pranë Pazarit të Ri (Sheshi “Avni Rustemi”) në Tiranë, ku gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 115.5 kilogramësh, që tregtohej jashtë kushteve dhe standardeve të parashikuara në ligj dhe aktet nënligjore.
Inspektorët e Drejtorisë Rajonale të AKU-së Tiranë, pas sinjalizimeve që kishin marrë, se aty tregtohej mish jashtë standardeve, organizuan kontrollin, nga i cili rezultoi se një numër tregtarësh dispononin mish pa certifikatë veterinare, në kundërshtim me kërkesat e ligjit dhe garantimin e sigurisë ushqimore. Inspektorët e AKU sekuestruan menjëherë sasinë e mishit prej 115.5 kilogramësh, që më pas do të asgjësohet.
Drejtori i AKU-së Tiranë, Armand Uruçi deklaroi për mediat, se inspektimi u zhvilluara në bazë të sinjalizimeve që mori AKU, ndërkohë që nuk do të lejohet askush të tregtojë mish dhe asnjë produkt tjetër ushqimor të pakontrolluar e që cenon sigurinë e konsumatorit.
Markata e mishit pranë Pazarit të Ri administrohet nga Bashkia e Tiranës dhe për atë, si dhe tregjet e hapura, u gjobit 2 muaj më parë nga AKU, me vlerën e 300 mijë lekëve.
AKU iu bën thirrje konsumatorëve, që në çdo rast kur cenohet siguria e tyre ushqimore, kur hasen në produkte pa etiketim në shqip, me data skadence të kaluara apo të dyshimta, për tregtim në rrugë apo në ambiente të papërshtatshme, të njoftojnë Drejtorinë e Përgjithshme në e-mailin zyrtar [email protected] ose në numrin jeshil 0800 75 75. Çdo shqetësim i konsumatorit është i patolerueshëm nga AKU dhe në çdo rast vlerësohet maksimalisht.